
SHBA mbyll dyert për studentët e huaj: Trump urdhëron pezullimin e vizave dhe kontrollin e rrjeteve sociale
Dritare.net
Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar pezullimin e të gjitha intervistave të reja për viza studentore dhe për programe shkëmbimi në ambasadat dhe konsullatat amerikane në të gjithë botën, si pjesë e një strategjie të re sigurie që parashikon kontroll të detajuar të rrjeteve sociale të aplikantëve.
Sipas mediave amerikane, përfshirë Reuters, New York Post dhe The Guardian, kjo nismë është nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe kërkon që çdo aplikant për vizë studentore (F, M) apo shkëmbimi kulturor (J) t’i referohet njësive të hetimit për parandalimin e mashtrimeve, për të analizuar aktivitetin e tyre online.
Ky vendim synon të zbulojë persona të cilët mund të shfaqin në rrjetet sociale simpati për grupe terroriste apo që kanë postuar përmbajtje që konsiderohet si kërcënuese ndaj Shteteve të Bashkuara apo aleatëve të saj. Megjithatë, vendimi ka ngjallur shqetësime të thella në komunitetin ndërkombëtar të studentëve dhe në institucionet arsimore në SHBA. Kritikët e kanë cilësuar si një hap që rrezikon të shkelë lirinë e shprehjes dhe që mund të ndikojë në mënyrë të padrejtë tek studentët nga vende të caktuara apo minoritete të ndryshme.
Organizata për të Drejtat Digjitale Electronic Frontier Foundation ka paralajmëruar se kjo masë “kërcënon seriozisht privatësinë dhe të drejtën e fjalës së lirë të mijëra studentëve të huaj”.
Universitetet amerikane, ndërkohë, janë të shqetësuara për ndikimin që mund të ketë kjo politikë në uljen e numrit të studentëve ndërkombëtarë, të cilët tradicionalisht kanë kontribuar ndjeshëm në jetën akademike dhe ekonomike të kampuseve në SHBA.

















