Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Reagon avokati i Metës: U mor i pandehur tani për të hequr vëmendjen nga zgjedhjet

Reagon avokati i Metës: U mor i pandehur tani për të hequr

Pas komunikimit zyrtar të akuzave ndaj Ilir Metës nga SPAK, avokati i tij, Kujtim Cakrani dha një prononcim për mediat ku deklaroi se bëhet fjalë për një çështje të montuar me prapavijë politike.

Sipas Cakranit, procedura ndaj kreut të Partisë së Lirisë është nisur me urdhër të kryeministrit Edi Rama, dhe synon të largojë vëmendjen publike nga krimet zgjedhore. Ai theksoi se Meta është marrë i pandehur menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, çka për të është një veprim i qëllimshëm për të manipuluar opinionin.

Meta përballet me tri akuza të rënda: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. “Iu komunikua akuza, do bëjmë kërkimet tona. Nuk ka ndryshim nga materialet e paraqitura më parë. Do kërkojmë që të kryhen disa veprime procedurale”, deklaroi Cakrani.

Ai theksoi se mbrojtja e Metës do studiojë fashikujt voluminozë të çështjes për të ndërtuar strategjinë ligjore. “Akuzat nuk qëndrojnë. Janë shpjeguar qartësisht gjatë hetimeve dhe në momentin që është marrë në pyetje. Çështja është e montuar. Autokrati i drejton të gjitha veprimet ndaj Metës”, tha avokati, duke akuzuar drejtues të lartë të shtetit për ndërhyrje në drejtësi.

Sipas tij, të tjerë persona mbajnë përgjegjësi për lobimet dhe këta emra do të dalin në vijim. Ai paralajmëroi se kjo do të jetë “procesi i shekullit” dhe e akuzoi gjykatën për nënshtrim ndaj kërkesave të prokurorisë.

“Ju keni qenë dëshmitarë të rrëmbimit të Metës. Nuk pati veprim nga Policia për të ndaluar banditët që rrethuan rrugën. Meta u regjistrua si person nën hetim më 10 qershor dhe u arrestua më 21 tetor, plot pesë muaj më pas”, u shpreh Cakrani.

Ai e mbylli deklaratën me një tjetër akuzë politike: “Pse u arrestua Meta? Sepse u lirua Berisha. Të dy nuk mund të rrinin jashtë për zgjedhje.”

Ilir Meta mohon akuzat dhe pretendon se ato kanë motive të qarta politike. Procesi gjyqësor pritet të marrë vëmendje të gjerë publike dhe politike në javët në vijim./K.C/dritare.net