Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shoqata e real estate kërkon tatim 3% për rivlerësimin e pronave: Periudha kohore të jetë për 1 vit jo 9 muaj!

Shoqata e real estate kërkon tatim 3% për rivlerësimin e pronave:

Norma tatimore 5% për të rivlerësuar pronën nuk është leverdishme për qytetarët. Ky është qëndrimi i Shoqatës Kombëtare të Pasurive të Paluajtshme, të cilët kërkojnë ulje të normës të paktën në 3% për individët.


Ndërkohë qeveria ka propozuar që tatimi për rivlerësimin e pronës si për qytetarët dhe për bizneset të jetë 5%.


“E gjejmë të tepërt dhe të pavend normën tatimore 5% sidomos për ato prona që kanë të bëjnë me strehimin. Ne mendojmë se nuk duhet të jetë tatimi më i lartë se 3%, të paktën për individët, të ketë diferencim”, shprehet Reinaldo Pipiria, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Pasurive të Paluajtshme.


Reinaldo Pipiria kryetar i shoqatës thotë se kërkesa tjetër që ata kanë për qeverinë është zgjatja e afatit të rivlerësimit.

“9 muaj është shumë pak. Nëse ekzekutivi mendon se duhet të fillojë në 1 janar 2026, të zgjatet afati deri në fund të vitit 2026-ës. Janë 850 mijë banesa që duhet të rivlerësohen dhe janë të paktën 3.4 milionë pasuri të paluajtshme që duhet të futen në procesin e rivlerësimit”,pohon Pipiria.

Së treti, sipas shoqatës ashtu siç do të lejohet rivlerësimi i pronave në proces legalizimi, duhet t’i hapet rruga e rivlerësimit edhe kontratave të porosisë, pra një apartamenti për të cilin është paguar një pjesë e vlerës së tij por nuk është i përfunduar.

“Ne jemi pro rivlerësimit të të gjithë gamës së pasurive të paluajtshme, që nga toka e deri tek kontratat e porosisë. Në Shqipëri ka shumë kontrata porosie, të cilat duhet të regjistrohen në ASHK dhe të rivlerësohen në ASHK”, tha Pipiria.

Projektligji për rivlerësimin e pronave aktualisht është në proces konsultimi dhe nëse kalon në parlamentin e ri pritet të nisë zbatimin nga janari 2026 deri më 30 shtator 2026.

Përmes kësaj fushate afrohet vlera e pronës me çmimin aktual në treg, dhe për diferencën paguhet tatimi 5% nga 15% që është tatimi që paguhet aktualisht nëse shet pronën.

Konkretisht nëse një person ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, ai do të duhet të paguaj 15% tatimin për këtë diferencë prej 20 mijë eurosh qytetari i detyrohet shtetit 3 mijë euro, ndërsa me këtë ndryshim ligjor kur bëhet përafrimi i çmimit me vlerën e tregut tatimi zbret në 5%, dhe paguan 1000 euro./E.P-dritare.net