
Nga Evis Cerga
Për Piron kisha dëgjuar pas Bebit. Më kujtohet si të ishte e diel, kur ndiqja koncertet e saj për piano. Isha fëmijë.
Piron e njoha nga “Zonja nga qyteti”. E adhurova fshatin përmes syve të tij, aq sa gati-gati dëshiroja të shkoja të jetoja atje. Isha adoleshente.
Piro Milkani. Si një emërmbiemër i pashkëputur zgjodhi të mos largohej të dielën. Ai ishte regjisor dhe si i tillë nuk mund të mos e zgjidhte përfundimin që do t’i jepte filmit të tij.
Bisedat me të nisën vonë. Madje mund të them që shkak për to u bë vetë ai. Një “telefonatë“ në messenger në Facebook, një ditë të zakonshme jave më shfaq emrin e tij. U habita. Patëm një bisedë të gjatë. Më tregoi se i lexonte ato që unë shkruaja në Facebook dhe që iu referohem si skica dhe më nxiti t’i botoja. Më tregoi se vlenin. Dhe që nga ajo bisedë pasuan plot të tjera, për artin, për letërsinë, për filmin. Për Kajron.
Piro kishte qenë në Kajro në një festival të rëndësishëm filmi dhe atje ishte takuar me prindërit e mi. Nuk rreshti kurrë së më lëvduari babain, mamanë. Nuk rreshti së foluri për filmin egjiptain. Për Yousef Shaheen. Tregonte aq bukur saqë doja të vazhdonte pambarim biseda dhe të kisha mundësi të regjistroja fjalët e tij.
Facebook-u na mbante të lidhur. Më shkruante hera-herës deri kur sytë nuk ia mundësonin më një gjë të tillë. Më kujtohet një prag viti të ri kur i dërgova një fotografi të sallonit të zbukuruar për festa dhe i thashë se atë qilim e kishte pasur dikur vjehra ime dhe ishte i vjetër sigurisht. Ai më tha: “Qilimat nuk janë si femrat. Sa më të vjetër, aq më shumë vlera kanë“.
Ndaj kur shuhet një njeri me vlera të duket sikur nga salloni ke “hequr qilimin” dhe shtëpia zbrazet e bëhet e ftohtë edhe në verë.
Piro ishte një rëfimtar i pashoq dhe këtë mund ta konfirmojnë fare lehtë të gjithë ata që patën rastin ta takonin qoftë edhe një herë të vetme. Por ai mbetet rëfimtari më i rrallë i vlerave dhe hireve të bashkëshortes së tij. Herën e fundit, të ulur me miq të tjerë në kafenenë përballë ish Hotel Arbërisë tregoi aq bukur për festat e ditëlindjeve të Bebit.
“Bebi kishte ditëlindjen. I kisha rënë kryq e tërthor dyqaneve dhe nuk kisha gjetur asgjë të denjë për të (fjalët e tij). I dhashë karar të shkoj te bahcja e “Kinostudios” dhe atje mblodha një tufë me trëndafila. Njëzet e pesë të bardhë për moshën kur e kisha njohur dhe njëmbëdhjetë të kuq për vitet që kishim që jetonim bashkë. Ia hodha mbi krevat, pasi Bebi kishte qenë paqejf.”
“Bebi kishte ditëlindjen. Nuk gjeta dot asgjë që ta kuptoja se do t’i pëlqente. Kur shkova në shtëpi i tregova Bebit një palë corape që kisha blerë për vete dhe i thashë: E dashur Bebi, nuk gjeta dot asgjë të denjë për ty, prandaj bleva këto corape për vete”.
Atë ditë më qerasi me një pije se sapo kishte kryer një ndërhyrje në zemër dhe donte ta festonte që ishte me shëndet të mirë. Por Piroja ashtu ishte. Optimist i lindur. Zotëri si rrallë kush. Fisnik në cdo element. Ndaj dhe zbrazëtia ndjehet më shumë për njerëz që mbanin peshë në qytet.
Qytetet zbrazen kur prej tyre largohen njerëz që nuk ishin thjesht kalimtarët e rastit në rrugët e shfytyruara për ta ctrajtësuar historinë. Dhe Piro la pas filmat, si fëmijët e zonjës nga qyteti që nuk mund të bëhej aspak shoqe nga fshati. Piro la Festën e Madhe. La shokët e miqtë e tij të qëndronin ballë për ballë për ta kujtuar qoftë edhe me Trishtimin e zonjës Shnajder.
U largua një ditë të ndryshme nga e diela sepse ai ishte regjisor i madh dhe nuk mund të largohej të dielën. Ai e dinte.
Never on a Sunday./Marrë nga facebook-u i autores

















