Jo më kimioterapi për kancerin e gjirit. Studimi i ri sjell shpresë për pacientet
Dritare.net

Një studim ndërkombëtar ka zbuluar se miliona gra të diagnostikuara me kancer të gjirit mund të shmangin në mënyrë të sigurt kimioterapinë falë një testi të ri ADN-je që identifikon pacientet që përfitojnë realisht nga ky trajtim.
Studimi, i udhëhequr nga University College London (UCL), përfshiu më shumë se 4,000 paciente të sapodiagnostikuara mbi moshën 40 vjeç nga Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Suedia, Australia, Zelanda e Re dhe Tajlanda.
Shkencëtarët përdorën testin gjenetik “Prosigna”, i cili analizon aktivitetin e 50 gjeneve të lidhura me rritjen e kancerit të gjirit dhe vlerëson rrezikun e rikthimit të sëmundjes. Rezultatet treguan se mbi dy të tretat e pjesëmarrëseve kishin rrezik të ulët dhe mund të trajtoheshin vetëm me terapi hormonale, pa pasur nevojë për kimioterapi.
Sipas studimit, shkalla e mbijetesës pas pesë vitesh ishte 93.7% për gratë që nuk morën kimioterapi, krahasuar me 94.9% për ato që e përfshinë këtë trajtim në planin e tyre mjekësor. Diferenca e vogël sugjeron se shumë paciente mund të shmangin efektet anësore të rënda të kimioterapisë, si lodhja, të përzierat, rënia e flokëve, dobësimi i sistemit imunitar dhe problemet e fertilitetit.
Profesor David Miles, një nga specialistët kryesorë të kancerit, i cilësoi rezultatet si “ndryshuese për praktikën mjekësore”. Ai theksoi se mjekët tani mund të përcaktojnë me besim se cilat paciente nuk do të përfitojnë nga kimioterapia, duke i kursyer ato nga një trajtim i vështirë dhe shpesh i panevojshëm.
UCL vlerëson se më shumë se 5,000 paciente në vit në sistemin shëndetësor britanik (NHS) mund të shmangin kimioterapinë falë përdorimit të këtij testi.
Gjetjet do të prezantohen në takimin vjetor të American Society of Clinical Oncology (ASCO) në Çikago, konferenca më e madhe botërore në fushën e kancerit.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ende nuk dihet nëse rezultatet vlejnë edhe për pacientet nën moshën 40 vjeç, pasi kërkimet për këtë grupmoshë vazhdojnë./l.F-dritare.net