
Pas 4 vitesh, i njëjti urim nga SHBA për zgjedhjet: Mbështetje e qëndrueshme
Dritare.net
Sot Ambasada e SHBA-së në Tiranë uroi popullin shqiptar për zgjidhjet e 11 majit 2025. Ndërsa në media kanë nisur aludimet për mënyrën e urimit, kujtojmë që edhe 4 vite më parë pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 25 prill 2021 në Shqipëri, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë publikoi një deklaratë zyrtare ku përgëzonte popullin shqiptar për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor dhe shprehte dëshirën për të vazhduar partneritetin e ngushtë me Shqipërinë. “Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë.” Urimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 është identik me atë të vitit 2021. Në të dy rastet, ambasada ka përdorur të njëjtin formulim. Ky qëndrim është në përputhje me politikën e SHBA-së për të mbështetur proceset demokratike dhe institucionet në Shqipëri./ dritare.net

















