Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Reagon Ilir Meta nga burgu: Marrja si i pandehur nga SPAK, një skenar i orkestruar nga Rama

Reagon Ilir Meta nga burgu: Marrja si i pandehur nga SPAK, një skenar i

Ish-presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes rrjeteve sociale pas vendimit të SPAK për ta marrë atë të pandehur në lidhje me çështjen CEZ-DIA. Meta akuzon kryeministrin Edi Rama për një skenar të mirëorkestruar politik, duke e cilësuar këtë veprim si të pabazuar në asnjë provë apo fakt penal.

"Sot, siç e keni ndjekur nga mediat dhe nga sqarimi i avokatit tim Kujtim Cakrani, më është komunikuar marrja si i pandehur, me urdhër të Edi Ramës. Kjo ndodhi menjëherë pas farsës elektorale dhe ishte plotësisht e pritshme", shkruan Meta.

Sipas tij, nuk ka asnjë element të ri në dosje, përveç një "fletërrufeje pa asnjë fakt apo provë penale", që synon, sipas tij, jo vetëm rrëmbimin politik të tij, por edhe të vetë Partisë së Lirisë dhe simboleve të saj.

Postimi i Metës!

"Të dashur qytetarë, anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë!

Sot, siç e keni ndjekur nga mediat, por edhe nga sqarimi publik i avokatit tim të mirënjohur Kujtim Cakrani, fill pas farsës elektorale, siç edhe e prisja, m’u komunikua me urdhër të Edi Ramës, marrja si i pandehur.

Është e qartë se më shumë se 7 muaj pas rrëmbimit tim terrorist, si prelud i vet terrorizmit elektoral të zhvilluar në publik dhe akoma më shumë në nëntokë, do të ndodhte pikërisht kjo që ndodhi sot.

Dua t’ju sqaroj se nuk ka asnjë episod të ri përveç fletërrufesë pa asnjë fakt apo provë penale, që u firmos me urdhër të Edi Ramës, jo thjesht për rrëmbimin tim politik dhe terrorizimin e anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë së Lirisë, por edhe për rrëmbimin e vet Partisë së Lirisë dhe të siglës së saj.

Kauzat e Partisë së Lirisë janë më të forta se asnjëherë ndaj pres me padurim nisjen e procesit të gjykimit, që ky proces të vërtetojë edhe njëherë se Ilir Meta në të gjithë jetën e tij publike ka qenë shembull i respektimit të ligjit dhe Kushtetutës.

Jam i bindur se ky proces i Ramaformës, i fabrikuar për vite të tëra, hetimi i së cilës ka nisur në dhjetor 2019, do të shkrihet si akullorja në kulmin e vapës.

Partia e Lirisë do të dalë shumëherë më e fortë nga kjo betejë sepse kauzat e saj janë interes ekzistencial kombëtar",- shprehet Meta./K.C/dritare.net