
Të hapen kutitë! Berisha lexon shifrat e dështimit në diasporë: S’i pranojmë zgjedhjet!
Dritare.net
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, doli sot në një konferencë të radhës për mediat, ku shfaqi edhe provat e pretenduara për manipulimin e votës së diasporës, teksa iu rikthye tezës së rinumërimit apo hapjes së kutive sipas ankimimeve që opozita po bën në KAS.
Një tezë kjo që personalisht e rrëzoi pas zgjedhjeve të vitit 2009, duke i mohuar opozitës së asaj kohe (PS) që kutitë të rihapeshin pasi kishin pretendime për vjedhje votash. Kurse në diskursin kontestues të rezultateve të 11 majit, po kërkon pavlefshmëri nëpërmjet rinumërimit apo hapjes së kutive, ku sipas tij gjenden edhe provat.
Ai serviri si provë shifrat e rezultateve të kutive kryesisht në qarkun e Fierit për zarfat e diasporës, ku akuzoi zv/kryeministren Belinda Balluku se kishte ndikuar në orientimin e votës, me kuti ku kishte vetëm 21-26 vota për PD-në në shumë kuti dhe 15 herë më shumë për PS-në.
Ai u shpreh se “lufta sapo ka filluar dhe zgjedhjet nuk pranohen kurrë”.
Më tej ai nuk kurseu sulmet edhe ndaj relatorit dhe kreut të KAS, Ilir Rusmali, që sipas tij nuk pranoi të jepte procesverbaleve të komisioneve dhe qendrave të numërimit, teksa i bëri thirrje Ilirjan Celibashit që t’i jepte dokumentet e kërkuara për Kukësin dhe për të gjitha rastet e tjera ankimuese. Ai e cilësoi Rusmalin si njeri pa norma morali dhe i “denjë për të gjitha epitetet”, pasi zbaton urdhrat e Edi Ramës.
“Narkoshteti shtetëzoi procesin me duart e tij të zeza të manipulimit të gjithanshëm. Procesi në duart e Taulant Ballës, Lubi Ballukut dhe personave kriminelë, elektoralë, patronazhistë në të gjtiha vendet, bashkë me ambasadat, për t’u marrë me manipulimin e gjerë të votave të diasporës. E shndërruan atë në krim madhor elektoral. Shikoni tabelat, në qarkun e Fierit se çfarë është bërë me votën e diasporës. Janë kuti me nga 21 vota për PD dhe 15 fish për PS-në, të organizuara nga Lubi Balluku. -Ja këtu kanë qenë më dorëlëshuar- (Komenton një nga kutitë ku ka vota më tepër për PD). Këtu kemi me 26 vota për PD dhe mbi 240 vota për PS. Ne do i paraqesim çdo ditë shqiptarëve provat e vjedhjes. Të jenë të sigurt se këto zgjedhje nuk do njihen. Sot ka shqiptarë të mërzitur, të zhgënjyer, por kjo luftë do fillojë, nuk dorëzohemi. Një hajdut dhe kryebandit si Edi Rama nuk mund të imponojë një rezultat shqiptarëve. I them shqiptarëve durim se ne kemi dokumente. Ne nuk mbrojmë me kallashnikov votën, por lufta tani fillon. Provat i kemi, do tregojmë se çfarë kanë bërë horrat e narkoshtetit. Ky regjim duhet të luftohet, me front të përbashkët brenda dhe jashtë vendit, në çdo skaj të botës”, tha Berisha.
Berisha këmbënguli se PD ka prova për manipulim rezultati dhe ndërhyrje në zgjedhje nga patronazhistët e PS-së. Madje ngriti një skenar me “laptop të zhdukur”.
Ai ka shigjetuar ashpër edhe kreun e KAS, ish-ministër i PD-së me të cilin Berisha ka pasur konflikte që para dy dekadash kur Rusmali ishte deputet i selisë blu (vazhdimisht e ka sulmuar politikisht).
Shkak ishte pse Rusmali dje nuk pranoi ankimimin dhe kërkesën e PD-së për Kukësin në lidhje me procesverbalet. Ai i kërkoi kreut të KQZ Ilirjan Celibashi, që gjithashtu të jepte edhe dokumentet e kërkuara nga PD.
“Ne kemi provat, jemi këtu për dokumentet, për ta faktuar. Lap-topi u zhduk, por prisni. Me këtë rast paralajmëroj Ilirjan Celibashin që të dorëzojë çdo dokument që Mercenarit Ilir Rusmailit, figurë e zhveshur nga çdollooj norme standardi njerëzor, i zhveshur nga çdo virtut njerëzor e të mos japi tabelat e rezultateve procesverbaleve për qarkun e Kukësit për PD-në. Nuk jep procesverbalet. Rama u kujtua për zgjedhjet e 2009 pas 4 muajsh duke kërkuar hapjen e kutive, kurse në këtë rast nuk jepen procesverbalet. Pa asnjë lloj niorme morale dhe njerëzore bllokon procesverbalet e komisionerëve. Këtë e bllokon edhe Ilirjan Celibashi. Në qarkun ku kemi fituar nuk u dhanë procesverbalet. E verifikova, njëherë tha se është e pamundur, por Rama i çon te një njeri që zbaton urdhrin, një turp. Thonë se nuk i jap se janë të komisionerëve. Por zyrtaret janë aty, e kuptoni ju se çfarë ndodh. Rama urdhëron kandidatët e tij nga një anë që të mos kërkojnë rinumërimin apo hapjen e kutive dhe në anën tjetër jep urdhra”, tha Berisha.
Kreu i selisë blu vijoi ta sulmonte Rusmalin, duke ngritur tangente bashkëpunimi me kryeministrin.
“Mund t’i vë çdo lloj epiteti Rusmalit, por e urdhëron Rama. Unë i them Celibashit të vëjë në dispozicion të gjitha procesverbalet, është proces ankimor. Narkoshteti po fsheh farsën elektorale. Këta kanë frikë nga dokumentet edhe aty ku kemi fituar ne. Sepse këta kanë bërë çdo gjë. Çdo kandidat do mbështetet për ankesat, transparencën apo hapjen e kutive. Ai ka refuzuar të japë procesverbalet e qendrave të numërimit dhe votimit, se s’dua ta lëshoj gojën për të (Rusmalin)”, vijoi ai.

















