Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dëshmitari: Sekreti që e dinim vetëm unë, Hajdari dhe gruaja e tij!

Dëshmitari: Sekreti që e dinim vetëm unë, Hajdari dhe gruaja


Në një rrëfim tronditës dhe të paprecedentë për emisionin Dekalog të Roland Qafokut në DritareTV, Bajram Mustafa zbulon për herë të parë një ngjarje që e mban të fshehur prej më shumë se 30 vitesh: rrëmbimin dhe masakrimin e tij në Pukë, për shkak të një mesazhi të thjeshtë që ia kishte përcjellë Azem Hajdari.


“Është hera e parë që po e them këtë. Më kanë marrë peng në Pukë, më kanë qëlluar me armë, më kanë vënë thes në kokë, më kanë çuar në një vend të panjohur dhe më kanë masakruar. – rrëfen Mustafa. Sipas tij, dhuna kishte nisur vetëm sepse kishte përcjellë një përshëndetje që Azem Hajdari i kishte dërguar kushëririt të tij, Bedri Hajdari.

Rrëfimi i Mustafës është i mbushur me detaje të rënda fizike dhe psikologjike. Ai përshkruan momentet kur ishte braktisur i gjakosur në një zonë të thellë, pas plagosjes nga armët e zjarrit. “Plumbat ranë mbi makinën time, një më kapi në rroba. E gjithë makina ishte e shkatërruar.", tregon ai.

Pavarësisht se e denoncoi ngjarjen në polici, Mustafa thotë se nuk i tregoi të vërtetën e plotë autoriteteve nga frika. “U thashë se nuk e dija pse më kishin marrë, por më kërcënuan se isha i vdekur bashkë me gjithë familjen.”

Në rrëfimin e tij, ai flet edhe për raportet me Partinë Demokratike dhe Sali Berishën, duke thënë se ka kontribuar pa përfituar asnjëherë financiarisht. Por, pas një zhgënjimi në vitin 2007, kur kandidatja e propozuar nga strukturat lokale u skualifikua në mënyrë të pakuptueshme nga qendra, ai deklaron se hoqi dorë përfundimisht nga mbështetja për PD.

Në fund të intervistës, Mustafa rrëfen edhe një episod të vitit 2009, kur u përfshi pa dashje në një incident të dyshimtë me një zarf që rezultoi të përmbante drogë, për të cilin u ndalua dhe u kontrollua nga policia. “Zarfi ishte dërguar nga dikush që nuk e njihja personalisht, e mora për shkak të hallit tim shëndetësor, por përfundova në komisariat. Ishte një kurth,” – pohon ai.

Rrëfimi i Bajram Mustafës hap një kapitull të panjohur të dhunës politike dhe hakmarrjeve në hije që kanë shoqëruar tranzicionin shqiptar. Ai ngre pikëpyetje të forta për rolin e institucioneve, heshtjen e gjatë dhe ndikimin e errët të së kaluarës në jetën e qytetarëve të zakonshëm./K.C/dritare.net