Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

200 mijë euro për ta sjellë të gjallë Talo Çelën! Rrëfimi tronditës i Erion Alibejt për hakmarrjen, kokainën dhe lidhjet me klanet e Elbasanit

200 mijë euro për ta sjellë të gjallë Talo

Një nga të penduarit kyç të drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë”, Erion Alibej, ka rrëfyer sot në Gjykatën e Posaçme një dëshmi të detajuar dhe tronditëse mbi përfshirjen e tij në botën e krimit, rrugën që e çoi drejt hakmarrjes dhe lidhjet me disa nga grupet më të rrezikshme kriminale në vend.

Në një deklaratë që pason akuzat për përfshirjen në një sërë vrasjesh mafioze, Alibej tregoi se kishte shpërndarë fjalë në Elbasan se ishte i gatshëm të paguante 100 mijë euro për vrasjen e Talo Çelës dhe 200 mijë euro për ta sjellë të gjallë. Ai tha se ky ishte momenti që e lidhi për herë të parë me të penduarin tjetër, Nuredin Dumanin, me të cilin ndau një qëllim të përbashkët: hakmarrjen.

Motivi i tij, tha Alibej, ishte ngjarja e rëndë në Bradashesh, ku në një atentat të përgjakshëm mbetën të vrarë vëllai i tij, Endrit Alibej, dhe xhaxhai Arben Dylgjeri. Ai e akuzon Talo Çelën si një nga autorët e masakrës.

“Takimin me Dumanin e regjistrova. Zgjati 2 orë e 48 minuta. I paraqita hetimet e mia për tre ngjarje kriminale dhe i kërkova të betohej me dorë në Kuran që të më tregonte të vërtetën. I thashë se e fal gjakun, vetëm dua të më thuash të gjitha,” – u shpreh Alibej. Ai shtoi se edhe vëllai i Dumanit ishte përfshirë në masakrën e Bradasheshit, por Dumani nuk e kishte pranuar. Sidoqoftë, bashkëpunimi mes tyre nisi, fillimisht me objektivin Talo Çela, edhe pse Alibej pretendon se financuesit e vrasjes së të vëllait ishin vëllezërit Çopja, miq të hershëm të familjes së tij.

Në vijim të dëshmisë, Alibej hodhi dritë mbi të kaluarën kriminale të tij dhe të vëllait, duke përshkruar ngritjen e një “perandorie droge” me bazë në Holandë. Ai tregoi se vëllai i tij kishte emigruar që në moshë të vogël në Greqi dhe më pas në Itali e Holandë, ku sipas tij, kishte ngritur një rrjet të fuqishëm të trafikut të kokainës.

“Asnjëherë nuk ka punuar në mënyrë të ligjshme. Kulmin e arriti në Holandë. Kokaína vinte nga Amerika Latine dhe shpërndahej në Holandë, Itali, Angli dhe Belgjikë,” tha ai.

Erion Alibej vetë ishte përfshirë në trafikun e drogës në vitin 2016 në Angli, për të ndihmuar vëllain që kishte borxhe. Ai tregoi se kishte fituar shumë para nga shpërndarja e kokainës, duke paguar një pjesë të borxheve të vëllait. Në dëshminë e tij, ai foli edhe për marrëdhëniet me Suel Çelën, Hajdar Çopjen dhe familjet Çapja e Çopja në Elbasan. Ai tregoi se Suel Çela ishte përfshirë në trafik droge që në adoleshencë, ndërsa Hajdar Çopja kishte ngritur një linjë të trafikimit të drogës nga Holanda në Angli, përmes Belgjikës. Një moment dramatik në rrëfimin e tij ishte përshkrimi i ditës së masakrës së Bradasheshit. Alibej, ndonëse ishte në kërkim nga policia, tha se ishte i pari që kishte mbërritur në vendin e ngjarjes, ku kishte gjetur vëllanë ende të ngrohtë, por pa shenja jete.

Seanca e sotme në GJKKO shënon një tjetër zhvillim të rëndësishëm në zbardhjen e një prej dosjeve më të mëdha të krimit të organizuar në Shqipëri, ku dëshmitë e të penduarve si Alibej dhe Dumani po çojnë drejt zbulimit të një rrjeti të gjerë vrasjesh dhe trafiku ndërkombëtar droge./K.C/dritare.net