
Mrekullia e Krishtlindjes! Burri takohet me familjen biologjike 75 vjet pasi u birësua!
Dritare.net
Dixon Handshaw mendoi se ai ishte fëmijë i vetëm për pjesën më të madhe të jetës. Por dekada pasi u birësua, 75-vjeçari mësoi se ka vëllezër e motra, të cilët i takoi pikërisht në kohën e festave.
Gjatë fundjavës, Handshaw, i cili jeton në Karolinën e Veriut fluturoi për në Rochester, Nju-Jork, ku takoi disa nga gjysmë-vëllezërit e tij përpara festës vjetore të Krishtlindjes me familjen.
"Gjatë gjithë jetës sime, kam ëndërruar të kem vëllezër e motra diku.", i tha Handshaw, CNN WHAM, që xhiroi edhe takimin e parë të vëllezërve e motrave në aeroport të premten. "Kjo është mrekullia ime e Krishtlindjeve."
Të shtunën, Handshaw takoi mbi 50 të afërm që ai nuk i dinte se ekzistonin deri në fillim të këtij viti, tha ai për CNN të martën. Takimi, që përfshinte kushërinjtë dhe fëmijët e tyre, ishte një surprizë e madhe për Handshaw, i cili ishte fëmija i vetëm për prindërit e tij birësues.
"Unë kurrë nuk kam takuar dikë që ndan ADN-në time.", tha Handshaw. Por sapo takoi të afërmit e tij ata u gëzuan shumë nga prania e njëri-tjetrit. "Ishte e mrekullueshme. Unë kurrë nuk kam ndier një dashuri të tillë, të pakushtëzuar sa kam ndier nga familja ime e re."
I lindur në Buffalo, Nju-Jork, në vitin 1949, Handshaw u birësua në moshën tre muajshe dhe pati një fëmijëri të lumtur, tha ai, duke shtuar se prindërit e tij ishin të sinqertë për birësimin e tij.
“Gjithmonë kam dashur t'i gjej, por shteti i Nju-Jorkut vulosi certifikatat e lindjes para birësimit dhe ishte e pamundur t'i gjeja.", tha Handshaw.
Në vitin 2020, certifikatat origjinale të lindjes u çvulosën për njujorkezët e adoptuar pas miratimit të një ligji të vitit 2019.
Handshaw mori certifikatën e tij origjinale të lindjes në gusht të këtij viti, tha ai për CNN. Atëherë ai mësoi emrin e babait të tij biologjik: Robert "Bud" Romig dhe i gjeti.
"Gjëja e parë që bëra kur mësova emrin e babait tim ishte ta kërkoja në Google dhe shfaqet nekrologjia e tij," tha Handshaw. “Jo vetëm që u trondita kur pashë se dukesha tamam si ai, por menjëherë e kuptova se kisha disa vëllezër dhe një motër.”
Handshaw nuk e di pse u çua për birësim, por ai e di se babai i tij ishte student i diplomuar në departamentin e fizikës të Universitetit Cornell. Nëna e tij ishte sekretare e departamentit, tha ai.
Nëna e tij biologjike nuk kishte më fëmijë, tha Handshaw, por ai gjithmonë pyeste veten nëse babai i tij kishte ndonjë të vetin.
Pas lindjes së Handshaw, Romig u vendos në Rochester me një grua që kishte tre djem. Romig i adoptoi tre djemtë, tha Handshaw. Çifti sot ka katër djem dhe një vajzë. Handshaw kontaktoi Gary Romig, një nga djemtë e birësuar të babait të tij, tha ai për CNN.
“Zgjodha Gary-n sepse e dija se ai ishte i birësuar dhe unë isha birësuar, dhe kështu mendova se ai do të ishte i ndjeshëm ndaj situatës sime.”, tha Handshaw.
Gary ishte në punë duke ngrënë drekë kur mori telefonatën e tij të parë nga Handshaw. Pasi komunikuan dhe i dërguan foto njëri-tjetrit, ata më në fund u takuan për Krishtlindje.
Megjithëse Handshaw nuk po e kalon ditën e Krishtlindjeve me familjen e tij të re, ai synon të kalojë më shumë kohë me ta në të ardhmen e afërt. Tani për tani, Handshaw dhe vëllezërit e motrat e tij po kompensojnë kohën e humbur, por takimi i tyre është më mirë vonë se kurrë, vuri në dukje ai./K.C/dritare.net

















