
Kryeministri francez Sébastien Lecornu jep dorëheqjen, vetëm 26 ditë pas emërimit
Dritare.net
Kryeministri francez Sébastien Lecornu ka dhënë dorëheqjen vetëm 26 ditë pas emërimit, në një zhvillim të papritur që ka tronditur skenën politike në Francë.
Lajmi u konfirmua nga Pallati Élysée, pak orë pasi kabineti i ri i Lecornu u shpall zyrtarisht. Kryeministri dorëzoi dorëheqjen pas një takimi njëorësh me presidentin Emmanuel Macron të hënën në mëngjes.
Dorëheqja e tij vjen pas vetëm tre javësh në detyrë, pasi ai u emërua më 10 shtator, pas rrëzimit të qeverisë së mëparshme të François Bayrou.
Kabineti i ri i prezantuar nga Lecornu kishte shkaktuar reagime të ashpra nga disa parti në Asamblenë Kombëtare, të cilat e kritikuan për faktin se ishte “pothuajse identik” me qeverinë e Bayrou. Disa prej tyre kishin paralajmëruar se do të votonin kundër kabinetit në seancën e miratimit parlamentar.
Ky zhvillim përbën një tjetër goditje për administratën e presidentit Macron, e cila prej muajsh përballet me paqëndrueshmëri politike dhe tensione të brendshme pas zgjedhjeve parlamentare të fundit.
Nuk dihet ende se kush do të marrë drejtimin e përkohshëm të qeverisë franceze, por pritet që Macron të nisë konsultimet urgjente për emërimin e një kryeministri të ri në ditët në vijim./L.F-dritare.net

















