Blegtorë shqiptarë, ja çfarë duhet të mësojmë nga modeli austriak!
Dritare.net

DritareTV vizitoi në Austri Institutin Kombëtar të Blegtorisë, ku fermerët dhe specialistët trajnohen, njihen me teknologjitë më të reja dhe me modelet që e kanë bërë Austrinë një nga vendet më të suksesshme në këtë sektor.
Gjatë vizitës në Qendrën Kombëtare Austriake të Gjedhit u prezantuan teknologjitë më të reja, metodat e trajnimit dhe modelet moderne të menaxhimit të fermave. Specialisti austriak Hans Spernbauer tha për DritareTV se Shqipërisë nuk i mungojnë lopët, por fermerët e kualifikuar. Sipas tij, importimi i racave të huaja apo blerja e pajisjeve moderne nuk mjafton për zhvillimin e blegtorisë.
“Një lopë e mirë pa një fermer të aftë nuk shërben për asgjë”, ishte mesazhi i ekspertit austriak. Edhe kafshët që kanë potencial të prodhojnë mbi 10 mijë litra qumësht në vit nuk mund ta arrijnë këtë rezultat pa ushqyerjen e duhur, menaxhim profesional dhe shërbim veterinar cilësor.
Spernbauer theksoi se suksesi i Austrisë mbështetet te edukimi i vazhdueshëm i fermerëve dhe investimi te brezi i ri. Në këtë vend, fëmijët njihen me blegtorinë që në moshën 3–4-vjeçare, përmes programeve që u mundësojnë të vizitojnë fermat, të kujdesen për viçat dhe të kuptojnë procesin e prodhimit bujqësor. Trajnimi vijon edhe për të rinjtë e moshës 15–18 vjeç, si dhe për fermerët profesionistë.
Falë këtij sistemi, shumë fermerë austriakë janë në gjendje të kryejnë vetë procedura të specializuara. Rreth 61% e inseminimeve artificiale në vend realizohen nga fermerët e trajnuar.
Një tjetër element i rëndësishëm është bashkëpunimi. Fermerët austriakë organizohen në shoqata dhe rrjete, pasi një fermë e izoluar e ka të vështirë të përballojë konkurrencën dhe kostot e tregut.
Modeli austriak mbështetet gjithashtu te kontrolli i cilësisë dhe besimi i konsumatorëve. Certifikimi “AMA Gütesiegel” garanton origjinën, cilësinë, mirëqenien e kafshëve dhe gjurmueshmërinë e produkteve. Kjo sigël njihet dhe besohet nga rreth 95% e popullsisë austriake./E.P-dritare.net