Arbitrazhi me Bechettin, Rama: Ka ikur koha kur lloj-lloj kriminelësh mund t’i merrnin Shqipërisë çfarë të donin!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka folur në Kuvend për çështjen e biznesmenit italian Francesco Becchetti dhe vendimin e arbitrazhit ndaj Shqipërisë. Duke iu përgjigjur deputetit demokrat Blendi Himçi, Rama deklaroi se nuk ka thënë se nuk e njeh vendimin e arbitrazhit, por këmbënguli se Becchetti nuk ka marrë dhe, sipas tij, nuk do të marrë para nga shteti shqiptar.
Rama kundërshtoi pretendimin se biznesmeni italian ka marrë 100 milionë euro, duke deklaruar se deri më tani nga shteti shqiptar ka marrë “zero lekë”.
Kryeministri tha gjithashtu se Shqipëria e ka kundërshtuar çështjen përmes rrugëve ligjore dhe se janë ende në zhvillim disa procese. Ai deklaroi se paratë e Albcontrol-it, të cilat aktualisht ndodhen të ngrira, do t’i rikthehen shtetit shqiptar pasi të përfundojë sqarimi i çështjes.
Rama bëri të ditur gjithashtu se SPAK është përfshirë në këtë çështje dhe pretendoi se Becchetti është përballë proceseve penale brenda dhe jashtë Shqipërisë.
“Koha kur lloj-lloj kriminelësh dhe legenash mund t’i merrnin Shqipërisë çfarë të donin, ka ikur”, deklaroi Rama, duke përsëritur qëndrimin se Becchetti “do të marrë zero lekë nga shteti shqiptar”.
Fjala e kryeministrit Rama për Becchettin
“Ju thatë që unë paskam thënë që nuk e njoh vendimin e arbitrazhit. Unë nuk kam thënë që nuk e njoh vendimin e arbitrazhit. Kam thënë që subjekti që e fitoi atë çështje do të marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Dhe, pavarësisht se partia juaj u angazhua fuqimisht që t’u thoshte shqiptarëve se ai ndërkohë mori 100 milionë euro, unë dua t’ju informoj se jo vetëm që, deri në momentin që ne po flasim, ai ka marrë zero lekë nga shteti shqiptar, por ndërkohë, si shumë të tjerë që kapen pas Shqipërisë padrejtësisht, pastaj, për një arsye apo për një tjetër, nuk u shkon mbarë jeta.
Ai sot, që flasim, subjekti në fjalë, së bashku me një apo dy nga arbitrat përkatës, do të përballen me drejtësinë, i dashur. Dhe të jesh i sigurt se, më herët sesa vonë, të gjitha ato lekë që janë mbajtur padrejtësisht të ngrira, duke ia marrë Albcontrol-it, do të kthehen në arkën e shtetit shqiptar.
Kështu që unë nuk kam thënë që nuk e njoh vendimin e arbitrazhit. Unë kam thënë që koha kur lloj-lloj kriminelësh dhe lloj-lloj mund t’ia merrnin Shqipërisë çfarë të donin, ka ikur. Dhe ai do të marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Këtë kam thënë unë.
Zero lekë do të marrë nga shteti shqiptar dhe, natyrisht, jo me forcë, por nëpërmjet rrugës ligjore. Ne kemi ndjekur rrugën ligjore. Jemi në disa procese me subjektin në fjalë. Për subjektin në fjalë ka jo vetëm procese administrative, civile, por edhe proces penal jashtë Republikës së Shqipërisë dhe në Republikën e Shqipërisë. SPAK ka hapur procesin.
Kështu që, për fatkeqësinë tuaj, që e keni shpërndarë atë lajm shumë intensivisht dhe e riktheni sa herë që afrohet një palë zgjedhje, ai do të marrë zero lekë nga shteti shqiptar dhe të gjitha lekët e mbledhura dhe të mbajtura të ngrira do të kthehen në Shqipëri, më herët sesa vonë.