Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Arben Kola distancohet nga marshimi drejt Rinasit, vetëshpallen 3 nismëtarë të tubimit

Gjatë fjalës kur qytetarët po grumbulloheshin në sheshin ‘Skënderbej’, aktivisti Alben Kola ka bërë publike emrat e nismëtarëve të protestës...


Marshimi i një dite më parë drejt Aeroportit të Rinasit duket se ka nxjerrë në sipërfaqe dallimet e para mes grupeve që po organizojnë protestat kundër qeverisë. Bllokimi për disa orë i autostradës Tiranë-Durrës dhe ecja e protestuesve për më shumë se pesë orë shkaktuan debate të forta, ndërsa sot kanë ardhur edhe reagimet e para nga personazhe që konsiderohen drejtues të lëvizjes.

Një prej tyre, Arben Kola, ka tentuar të shuajë zërat për përçarje, por njëkohësisht ka bërë një ndarje të qartë mes grupit nismëtar të protestës dhe organizatorëve të marshimit drejt Rinasit.


“Shumë mendojnë që jena përça, shumë thojnë po tentojnë me na kap. Nuk jemi të përçam, s'ka patur keqkuptime, ka tentativa, por nuk jemi me u akuzu dhe me u armiqësu me askënd. Armiku i vetëm sot i përbashkët është Edi Rama dhe qeveria e tij”, deklaroi Kola para protestuesve.

Më herët, gjatë grumbullimit të qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, ai bëri publikë edhe emrat e tre personave që, sipas tij, njihen zyrtarisht nga policia si nismëtarë të protestës.

“3 personat nismëtarë që njihemi me letra nga policia: Luçiana Kokaj nga Rrjolli, Alben Kola nga Kukësi dhe Arlinda Lleshi nga Lezha”, deklaroi aktivisti.


Por deklarata më domethënëse erdhi kur Kola u distancua nga marshimi drejt Rinasit, duke theksuar se ai nuk ishte organizuar nga grupi nismëtar.

“Marshimi ka qenë i organizuar nga grupe të rinjsh, siç quhet gjenerata Z. Duke qenë që marshimi nuk ka patur të bëjë fare me grupin nismëtar as me organizatorët, nga sonte do jem unë në ballë të marshimit bashkë me studentët”, tha ai.

Kjo deklaratë shihet si një sinjal se brenda lëvizjes po zhvillohet një garë e heshtur për drejtimin dhe orientimin e aksioneve të ardhshme. Vetë Kola njoftoi se studentët do të jenë në vijën e parë të marshimeve në vijim, me të në krye.


Po ashtu, ai u përpoq të mbyllte debatin e hapur pas tentativës për të shkuar drejt aeroportit, duke garantuar se një veprim i tillë nuk do të përsëritet.

“Që të jemi të qartë me gjithë shqiptarët. Ne kemi thënë çdo natë që kjo është protesta model. Zemra e kësaj proteste është rinia dhe mërgata shqiptare. Atëherë si mund të ndalojmë ne mërgatën që vjen me aeroplanë? A e kuptoni që aeroporti është nyja kryesore e jetës, që na ka ndërru imazhin e Shqipërisë? Prandaj të jetë e qartë për të gjithë, asnjëherë nuk do ketë tentativë për në aeroport”, deklaroi Kola.

Qëndrimi i tij vjen një ditë pasi marshimi drejt Rinasit shkaktoi polemika të shumta, me një pjesë të protestuesve që e konsideruan një përshkallëzim të panevojshëm të aksionit, ndërsa të tjerë e mbrojtën si një formë presioni ndaj qeverisë. Deklaratat e sotme tregojnë se debati për strategjinë e protestës tashmë ka hyrë edhe brenda vetë organizatorëve të saj./pamfleti.al