

Zakonisht, menopauza konfirmohet kur një femër nuk ka patur menstruacione për 12 muaj me radhë. Për shumicën e femrave, përcaktimi i menopauzës bëhet bazuar në përshkrimin që një femër iu bën shenjave dhe përfundimit të menstruacioneve të saj. Por në disa raste, këto shenja nuk janë të mjaftueshme për të përcaktuar nëse një femër ka arritur në menopauzë, prandaj një test gjaku që mat nivelet e hormoneve mund të rekomandohet për ta konfirmuar.
Shenjat
Disa femra nuk kanë fare shenja ose kanë shqetësime të vogla, por disa të tjera kanë shqetësime madje edhe të rënda deri në paaftësi. Shenjat mund të vërehen për disa muaj dhe vite para menopauzës dhe mund të vazhdojnë edhe disa vjet pas saj. Por jo gjithmonë është e mundur të tregohet nëse këto shqetësime janë të lidhura me moshimin apo me menopauzën, ose me të dyja. Disa nga shqetësimet e femrave në këtë periudhë janë: perioda të çrregullta, ulje e aftësisë për të lindur, afshe të nxehta, çrregullime të gjumit, probleme vaginale dhe urinare, ndryshime të humorit dhe nervozizëm, ndryshime në jetën seksuale, osteoporozë, sëmundje kardiovaskulare, shtim në peshë dhe ndryshime në pamje.
Kontrollet
Gjatë menopauzës, mjekët rekomandojnë një matje të densitetit kockor për osteoporozë. Është i rëndësishëm gjithashtu edhe kujdesi për shëndetin gjinekologjik. Shumica e femrave kanë nevojë për një Pap test çdo tre vjet, disa edhe më shpesh. Femrat duhet të pyesin mjekun se sa shpesh duhet të bëjnë mamografinë e gjirit. Përveç këtyre, mjeku mund t’u kërkojë të bëjnë edhe ekzaminime të tjera gjinekologjike. Femrat gjithashtu mund të kenë nevojë të kontrollohen për disa probleme të veçanta si mosmbajtja e urinës, tensioni i gjakut etj. Shumë sëmundje kronike kanë tendencë të shfaqen në këtë periudhë, prandaj mjeku mund t’u rekomandojë edhe teste të tjera nëse është e nevojshme.
Parandalimi
Menopauza është një proces natyral dhe nuk mund të parandalohet. Një femër nuk mund të shmangë menopauzën. Çdo femër do ta përjetojë atë. Megjithatë, ka mënyra që mund të minimizojnë ose edhe të parandalojnë efektet e pakëndshme anësore gjatë viteve të menopauzës.
Trajtimi
Studimet tregojnë se ndryshimet në stilin e jetesës dhe disa medikamente mund të ndihmojnë për të lehtësuar simptomat e menopauzës, si dhe të përmirësojnë cilësinë e jetës së një femre.
Për shumë femra ndryshimi i stilit të jetesës mund të jetë mjaft ndihmues, dhe ato mund të mos kenë nevojë për trajtim mjekësor nëse shenjat nuk i shqetësojnë. Ndryshimet në stilin e jetesës përfshijnë: Kufizimin apo ndalimin e pirjes së duhanit, kufizimin e pirjes së kafesë, përdorimin e veshjeve praktike, kryerjen rregullisht të aktivitetit fizik, marrjen e mjaftueshme të vitaminës D, konsumin e kalciumit, praktikimin e një higjiene të mirë gjumi, lehtësimin nga stresi i përditshëm etj.
Medikamente
Megjithëse për disa femra ndryshimi i stilit të jetesës lehtëson shenjat, për disa të tjera kjo nuk mjafton. Nëse shenjat e menopauzës vazhdojnë të bëhen shqetësuese, atëherë duhet kërkuar ndihmë mjekësore. Trajtimi i menopauzës është në varësi të shenjave dhe përfshin: Terapinë zëvendësuese hormonale, trajtimin e afsheve të nxehta, trajtimin e depresionit, osteoporozës, anemisë, tharjes së vaginës etj. Trajtimi i shqetësimeve të mësipërme dhe i çdo problemi tjetër shëndetësor, si dhe zakonet e shëndetshme të jetesës, ndihmojnë që femra ta kalojë sa më mirë këtë periudhë të jetës. Megjithëse menopauza është një fazë e natyrshme në jetën e një femre, është e rëndësishme që çdo femër të kontrollohet te mjeku.

















