Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ambasadori gjerman në Borovë: Masakra e 1943 ishte një krim i dhimbshëm, historia nuk duhet të përsëritet

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 83-vjetorit të Masakrës së Borovës, në Kolonjë, ku nderoi kujtimin e 107 viktimave të vrara nga ushtria gjermane më 6 korrik 1943.

Në fjalën e tij, ambasadori e cilësoi këtë një moment shumë të dhimbshëm, duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe duke theksuar përgjegjësinë historike të Gjermanisë për ngjarjen.

"Është një moment shumë i dhimbshëm për Ambasadën Gjermane, sepse sot jemi këtu për të nderuar viktimat e masakrës që u krye nga ushtria gjermane më 6 korrik 1943. Janë 83 vjet nga momenti kur 107 burra, gra dhe fëmijë u vranë. Ndaj dhimbjen e popullsisë këtu dhe të familjeve që humbën njerëzit e tyre më të dashur", tha Bergner.

Ai shtoi se ngjarja mbetet e rëndë edhe për popullin gjerman, pasi krimi u krye në emër të tij, ndërsa theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.

"Është e dhimbshme edhe për mua si ambasador, sepse kjo ka ndodhur në emër të popullit gjerman. Ne duam të kujtojmë emrat e atyre që u vranë, por gjithashtu duhet të nxjerrim mësime nga historia dhe të përpiqemi të parandalojmë që ajo të mos përsërisë veten."

Ambasadori gjerman nënvizoi se ngjarje të tilla mund të parandalohen vetëm përmes respektimit të vlerave demokratike.

"Në raste të tilla themi 'kurrë më'. Kjo arrihet duke mbrojtur tolerancën, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe vlerat evropiane", u shpreh ai.

Masakra e Borovës konsiderohet një nga krimet më të rënda të kryera nga forcat pushtuese naziste në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më 6 korrik 1943, 107 banorë të fshatit, mes tyre gra, fëmijë dhe të moshuar, u vranë, ndërsa fshati u dogj pothuajse tërësisht./L.F-dritare.net