Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

600 mijë frangat që mori Esad Pashë Toptani për vrasjen e Hasan Riza Pashës dhe shitjen e Shkodrës!

1785751040579_Vrasja_e_Hasan_Riza_Pash_s_-_100_vrasjet_Dekalog_nga_Roland_Qafoku_clip_4_screen_2.jpg

Në emisionin “Dekalog” në DritareTV, gazetari Roland Qafoku solli historinë e vrasjes së Hasan Riza Pashës, komandantit që mbrojti Shkodrën nga forcat malazeze gjatë rrethimit të viteve 1912–1913.

Duke analizuar “10 misteret” e kësaj vrasjeje, Qafoku hodhi poshtë përpjekjet për rehabilitimin e figurës së Esad Pashë Toptanit dhe pretendimet se ai e shpëtoi Shkodrën nga shkatërrimi. Sipas gazetarit, faktet tregojnë se vrasja e Hasan Riza Pashës ishte një komplot politik dhe financiar, që përfundoi me dorëzimin e qytetit.

Një prej pikëpyetjeve kryesore lidhet me kohën e atentatit. Hasan Riza Pasha u vra vetëm 24 orë përpara nisjes së një kundërsulmi të përbashkët të forcave osmane dhe vullnetarëve shqiptarë kundër trupave malazeze. Plani parashikonte gjithashtu ngritjen e flamurit shqiptar në Kalanë e Shkodrës, duke e bashkuar politikisht qytetin me Qeverinë e Vlorës.

Dyshimet rëndohen edhe nga veprimet e Esad Pashës. Natën e atentatit, ai e kishte ftuar komandantin në shtëpinë e tij, ndërsa Hasan Riza Pasha u largua pa eskortën e nevojshme ushtarake. Pas vdekjes së tij, Esad Pasha mori menjëherë drejtimin e mbrojtjes së qytetit, pa miratimin e autoriteteve në Stamboll apo të Qeverisë së Vlorës. Sipas analizës, Hasan Riza Pasha, edhe gjatë agonisë, kishte kundërshtuar që Toptani ta zëvendësonte si komandant.

Qafoku solli edhe dokumente nga arkivat evropiane dhe malazeze, sipas të cilave Esad Pashë Toptani kishte marrë 600 mijë franga nga serbët dhe malazezët për dorëzimin e Shkodrës. Ai u nderua më pas edhe politikisht nga Beogradi, ku një rruge iu vendos emri i tij.

Gazetari e cilësoi vrasjen e Hasan Riza Pashës si një nga ngjarjet më të errëta të historisë shqiptare: një komandant me origjinë të huaj dha jetën për mbrojtjen e Shkodrës, ndërsa u tradhtua për interesa politike dhe financiare.

Në përfundim, Qafoku kërkoi që figura e Hasan Riza Pashës të marrë nderimin e merituar nga shteti shqiptar. Sipas tij, eshtrat e komandantit duhet të prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, pasi ai ishte ndër të parët që ra duke mbrojtur shtetin e porsalindur shqiptar./E.P-dritare.net