10 misteret e pazgjidhura të vrasjes së kolonelit Lodewijk Thomson!
Dritare.net

Në emisionin “Dekalog” në DritareTV, gazetari Roland Qafoku solli historinë e vrasjes së kolonelit holandez Lodewijk Thomson, një prej ngjarjeve më misterioze dhe tragjike të viteve të para të shtetit shqiptar.
Thomson, i cili kishte ardhur në Shqipëri si pjesë e misionit ushtarak holandez për organizimin e forcave shqiptare, u vra më 15 qershor 1914, gjatë luftimeve për mbrojtjen e Durrësit nga rebelët e Shqipërisë së Mesme.
Koloneli ishte angazhuar fuqishëm në mbrojtjen e qeverisë së Princ Vidit dhe, sipas dëshmive të kohës, gjatë luftimeve thërriste edhe “Rroftë Shqipëria!”. Por mëngjesin e 15 qershorit, te Ura e Dajlanit ai u godit për vdekje nga një plumb që dyshohet se erdhi nga pas, nga pozicionet e forcave që vetë Thomson po drejtonte.
Një tjetër element tronditës lidhet me momentet pas plagosjes së tij. Sipas dëshmive të gazetarëve dhe autorëve të huaj të kohës, ushtarët shqiptarë pranë tij nuk i shkuan në ndihmë. Thomson u tërhoq nga fusha e betejës nga majori holandez Roelof Semma dhe gazetari Arthur Moore, ndërsa pak më vonë ndërroi jetë.
Në “Dekalog” u trajtua gjithashtu pista e një komploti më të gjerë. Thomson kishte krijuar përplasje me figura dhe interesa të fuqishme të kohës. Pak javë përpara vrasjes, ai kishte arrestuar tre italianë, pasi kishte zbuluar sinjale që dyshohej se u dërgoheshin rebelëve. Kjo solli edhe përplasjen e tij me përfaqësuesin italian në Durrës, Carlo Aliotti.
Një nga episodet më enigmatike lidhet pikërisht me Aliottin, i cili, sipas materialit të trajtuar në emision, pas betejës kishte një urdhër-arresti për Thomsonin – në një moment kur koloneli tashmë ishte vrarë.
Roland Qafoku solli gjithashtu 10 mistere që vazhdojnë të shoqërojnë vrasjen: kush qëlloi realisht Thomsonin, pse arma e dyshuar e krimit nuk iu nënshtrua ekspertizës, pse ajo përfundoi si suvenir te Princ Vidi dhe çfarë tha koloneli në çastet e fundit të jetës.
Më shumë se një shekull më vonë, vrasja e Lodewijk Thomsonit mbetet një nga episodet më të errëta të Shqipërisë së vitit 1914, mes luftës, interesave të huaja dhe dyshimeve për tradhti nga brenda./E.P-dritare.net