Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Xakja, historia e një artisti të hekurit

Xakja, historia e një artisti të hekurit
Nga Dritan Hila

Gëzimin e kam njohur rastësisht para tre viteve kur kërkoja një kovaç për të bërë disa punime hekuri artistike. Ishte e vështirë pasi nuk ka më njerëz të këtij zanati. Të gjithë ata që merren me hekurin punojnë me dekoracione të gatshme nga importi dhe tashmë nuk gjen dot një që të përdorë çekiçin, kudhrën dhe zjarrin. Pas shumë pyetjesh, gjeta numrin e tij dhe pasi u lidha më dha adresën e cila ishte afër Rinasit. Me vështirësi e gjeta dhe në momentin e parë nuk besova se në atë shtëpi jetonte një kovaç. Ishte një vilë dy katëshe në mes të një sopi të madh. Oborri ishte rrethuar me mur guri të gdhëndur dhe mes kolonave të gurta ishin hekurat e rrahur të punuar me mjeshtëri. Brenda kishte disa pemë dekorative dhe frutore të cilat rrethoheshin nga lulishte të cilat përshkoheshin nga shtigje guri mes të cilave kishte mbirë bari. Në mes të oborrit ishte shatërvani, Ndërsa vila ishte një ndërtesë dykatëshe e stilit neoklasik. Kombinimi i mermerit, gurit të gdhendur, hekurit të rrahur të linte përshtypjen e një njeriu të pasur dhe me shije. Anash vilës ishte një guest house e bërë me tulla të kuqe e stilit british. Ishte një pamje që e gjen vetëm në Toskanë. Mendova se do të isha gabuar dhe për siguri i rashë telefonit rishtas. Më doli një burrë nga ata të cilëve nuk iu kuptohet mosha dhe pyetjes time se kërkoja Gëzimin, duke qeshur iu përgjigj se ai ishte dhe më ftoi brenda. U ulëm në një nga tavolinat e oborrit dhe pas kortezisë së rastit i shpjegova se për çfarë kisha shkuar. I tregova pamjet dhe ai i shikoi. Vazhdoja të mendoja se ishte sipërmarrësi dhe do më çonte të takoja kovaçin. Po dyshimet morën fund pasi shkuam tek punishtja e cila ishte në fund të oborrit të stërmadh dhe ku ishin dy ndihmësit e tij. Nuk shfaqi asnjë ngurim për të marrë përsipër punën dhe më shpjegoi sesi do të bëhej. E falenderova që e mori përsipër dhe u largova me bindjen se sido ta bënte punën, punimet do të ishin më të mira se surrogatot e parafabrikuara të tregut.

Pas disa ditësh më thirri dhe shkova rishtas. Nuk iu besoja syve. Gjithçka ishte perfektshmërisht e njëjtë me punimet italiane të shkarkuara nga interneti.

Këtë rradhë Gëzimi ishte me tutat e kovaçit. Biseduam për lyerjen dhe u largova.

Që atëhere jemi takuar shpesh dhe kam shkuar edhe familjarisht tek shtëpia e tij. Ende nuk e besoj se ai djalë nuk ka mbaruar Institut Artesh të Bukura. Shija me të cilën ka bërë shtëpinë është e jashtëzakoshme.

Babai është ish mësues që tani kujdeset për pemët dhe lulet, ndërsa nëna e gruaja për gjithcka brenda e jashtë shtëpisë. Sepse tek Gëzimi gjithçka është e prodhuar nga toka e tyre. Janë vendalinj të vjetër dhe përpara vitit '45 kishin 76 dynymësh nga të cilët kanë marrë vetëm 16. Të tjerat ose ia u kanë zënë me forcë ose i ka shpërndarë ligji 7501. Por nuk i kam dëgjuar asnjëherë të ankohen. Qumështin e marrin nga një lopë xhersej. Grurin e bëjnë vetë. Qumësht e djathë po ashtu. Arrat dhe mandarinat i kanë në oborr, kujtim nga gjyshja.

Gjithcka është e tyre. kur shtrojnë tavolinën, në kuzhinë ndërsa në sobë piqet buka dhe në furrë një pulë e vogël, të duket sikur askush nuk do t'ia dijë, cfarë ndodh jashtë atyre dyerve.

Eshtë Gëzimi i cili i lidh me botën e jashtme dhe ekonominë globale. Gëzimi i cili nuk prish qejf me asnjë dhe nuk di të flasë, po nuk buzëqeshi. Siç i erdhi për të qeshur kur unë ia shkurtova emrin në Xake dhe kur do të më ngacmojë më kthehet: "Po ti Xake, si e mendon këtë punë?"

Merakut të nënës se lodhet shumë dhe punët e vështira i bën ai vetë, i përgjigjet se nuk ka si bëhet ndryshe, pasi nëse nuk e kap ai me dorë, puna nuk do të ishte e njëjtë. Kuriozitetit se nëse i kishte hyrë pasioni për hekurin nga ndonjeri nga fisi, ma heq kur tregon se është një zanat që i hyri rastësisht dhe u dashurua me të. Por unë mendoj se në një kohë tjetër apo rrethana të tjera, Gëzimi do të ishte bërë dizajner me famë. Por unë nuk do të njihja një artist të hekurit. Fotot që kam bashkëlidhur më japin të drejtë.Nëse keni qenë në nje restorant me punime hekuri apo vila rezidenciale me detaje hekuri artistike që iu ka mbetur mendja, të jeni të sigurtë që ka qenë dora e Gëzimit.

Me siguri Xakja do më kritikojë, që i kushtova këtë shkrim, se nuk ka kohë për klientë të rinj. Ka aq shumë punë dhe si natyrë që nuk gënjen dot, punon edhe me orë të zgjatura, që t'i dorëzojë në kohë.

Ishte thjesht dëshira ime për të treguar jetën e një familjeje të bukur shqiptare nga mijërat që i japin lezet këtij vendi./dritare.net