Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vuçiç pas vendimit të Hagës: Nuk u dënuan për krime kundër njerëzimit, mos festoni ende!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, duke u kërkuar serbëve të mos e presin me eufori dënimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Në një konferencë për shtyp, Vuçiç u ndal te fakti se trupi gjykues nuk i shpalli fajtorë për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërsa gjatë fjalës së tij shfaqi edhe fotografi të viktimave serbe dhe jo-shqiptare.

“Është e rëndësishme të theksoj se trupi gjykues nuk konstatoi sulme sistematike kundër popullsisë civile. Ata nuk deshën ta rrënonin kredibilitetin e UÇK-së. Çfarë nuk përfshihet në këtë vendim? Krimet kundër njerëzimit. Të gjashta pikat e aktakuzës u hodhën poshtë. Të gjitha krimet e kryera kundër serbëve pas 20 qershorit 1999 nuk u morën parasysh, sepse u vlerësua se KFOR-i kishte mbërritur dhe nuk kishte më konflikt të armatosur. Nuk ka përgjegjësi as për ‘Shtëpinë e Verdhë’”, deklaroi Vuçiç.

Presidenti serb shfaqi më pas fotografi të viktimave, duke pretenduar se për disa prej krimeve ndaj serbëve askush nuk është përgjigjur.

“Mund t’ju tregoj vetëm këtë fotografi, që ta shihni se çfarë masakre është kryer dhe, siç e shihni, as për këtë krim askush nuk është përgjigjur. Kemi edhe shumë fotografi të tjera. Nuk janë marrë në konsideratë”, tha ai.

Vuçiç foli edhe për vetë Dhomat e Specializuara, duke i cilësuar ato si një mekanizëm të krijuar nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare.

“Ky është një vendim i shkallës së parë i dhënë nga gjykata e Kosovës, sepse kjo është gjykatë e të ashtuquajturës Kosovë. Ata e krijuan këtë mekanizëm të posaçëm para 11 vitesh nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, për të shmangur krijimin e një tribunali ad hoc, si ai që u formua gjoja për territorin e ish-Jugosllavisë, por që në fakt ishte krijuar kundër serbëve dhe popullit serb”, u shpreh Vuçiç.

Në fund, presidenti serb bëri thirrje që vendimi të mos pritet me festime, duke kujtuar se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar.

“Ne nuk kemi arsye as të gëzohemi, as të pikëllohemi. Edhe nëse vendimi konfirmohet, gjë që e kam të vështirë ta besoj, ekziston edhe një instancë e tretë - Gjykata Kushtetuese e të ashtuquajturës Kosovë, e cila mund ta kthejë çështjen në rigjykim. Prandaj nuk duhet ta presim këtë vendim me eufori, por të jemi të duruar”, tha ai.

Vuçiç pranoi gjithashtu se edhe pala serbe nuk është përballur sa duhet me krimet e kryera gjatë luftërave.

“Është bërë shumë padrejtësi, por as ne të gjithë së bashku nuk kemi qenë mjaftueshëm të gatshëm të përballemi me krimet që janë kryer në emrin tonë. Megjithatë, zgjidhja për të ardhmen qëndron te biseda, mirëkuptimi më i madh dhe dialogu me të gjithë”, tha Vuçiç./dritare.net