Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vrasja e Arlinda Zekajt, pezullohen 11 zyrtarë të Policisë së Kosovës

Vrasja e Arlinda Zekajt, pezullohen 11 zyrtarë të Policisë

Policia e Kosovës ka pezulluar 11 zyrtarë policorë në kuadër të hetimeve për mënyrën e trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.

Pezullimet janë kryer pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ndërsa ndaj zyrtarëve ka nisur një hetim paraprak për veprimet dhe mosveprimet e tyre në trajtimin e rastit.

Mes të pezulluarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor të Pejës, si dhe zyrtarë të tjerë, përfshirë katër hetues policorë.

Sipas Policisë së Kosovës, masat janë ndërmarrë për të garantuar zhvillimin e hetimeve të pavarura, llogaridhënien institucionale dhe përcaktimin e përgjegjësive individuale.

Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pezulluar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri.

Hetimet vijojnë për të sqaruar nëse ka pasur shkelje apo mangësi institucionale në trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt./K.C/dritare.net