Këshilltarët e Bashkisë së Tiranës rezolutë për transferimin e Veliajt drejt Fierit
Dritare.net

Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës kanë kërkuar transparencë për transferimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, si dhe respektimin e të drejtave të tij gjatë qëndrimit në burg. Përmes një rezolute të paraqitur në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, ata i kanë bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Burgjeve të sqarojnë arsyet e transferimit dhe të garantojnë kushtet e duhura të qëndrimit.
Më poshtë rezolta e anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës:
Lidhur me transferimin dhe kushtet e mbajtjes së Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
Ne, këshilltarët e Bashkisë së Tiranës, shprehim shqetësimin tonë të thellë për transferimin e papritur të Kryetarit të Bashkisë, z. Erion Veliaj, nga institucioni i paraburgimit në Durrës në atë të Fierit, si dhe për kushtet e rënda në të cilat raportohet se po mbahet.
Shqetësimi ynë bëhet edhe më serioz pas vizitës së Avokatit të Popullit në institucionin e Fierit, ku janë ngritur çështje që kërkojnë verifikim dhe ndërhyrje të menjëhershme institucionale.
Erion Veliaj është një qytetar i paraburgosur, i cili gëzon prezumimin e pafajësisë dhe të gjitha të drejtat që Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut i njohin çdo individi. Ai është gjithashtu Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, mandati i të cilit është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese.
Asnjë masë paraburgimi nuk mund të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor apo poshtërues, për kufizime arbitrare të komunikimit me familjen dhe mbrojtësit ligjorë, apo për pengesa të pajustifikuara në marrjen e kujdesit shëndetësor.
Për këto arsye, kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve:
1. Transparencë të menjëhershme mbi arsyet ligjore dhe faktike të transferimit.
2. Garantimin e kushteve të qëndrimit në përputhje me standardet ligjore dhe europiane, si dhe vlerësimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore.
3. Respektimin e plotë të së drejtës së komunikimit me familjarët dhe mbrojtësit ligjorë.
4. Verifikimin dhe heqjen e çdo kufizimi të pajustifikuar që pengon ushtrimin e të drejtave të tij.
I kërkojmë Avokatit të Popullit të bëjë publike, brenda kufijve ligjorë, gjetjet dhe rekomandimet e inspektimit të kryer.
Si anëtarë të Këshillit Bashkiak, kemi gjithashtu përgjegjësinë të kërkojmë që situata e krijuar të mos prodhojë pengesa të paligjshme për funksionimin e Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimin e kompetencave të kryetarit të saj.
Ne nuk kërkojmë privilegje për Erion Veliajn. Kërkojmë respektimin e ligjit, dinjitetit njerëzor dhe të drejtave që i takojnë çdo qytetari.
Drejtësia nuk mund të ushtrohet duke cenuar dinjitetin njerëzor. Dhe asnjë institucion publik nuk mund të qëndrojë indiferent përballë pretendimeve serioze për shkeljen e këtyre të drejtave./K.C/dritare.net