Na ndiqni edhe në

Editorial

Votojeni në keni perëndi

Votojeni në keni perëndi
Nga Dritan Hila

Fiks katër vjet më parë, në korrik të vitit 2012, BE kërkonte heqjen e imunitetit të deputetëve, në mënyrë që vendi të merrte statusin e vendit kandidat. Katër vjet më parë, Berisha, ato kohë kryeministër, dhe BE, ju bënte thirrje socialistëve në opozitë ta votonin heqjen e imunitetit. Dhe ishte kjo PS e cila nuk e votonte, duke i shkaktuar kosto vendit.

Ato kohë, në 27 Korrik 2012, shkruajta një artikull në Gazetën Shqiptare, me titull “Votojeni pash zotin!”, ku megjithëse isha anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS, i kërkoja partisë të votonte heqjen e imunitetit të deputetëve në mënyrë që të hapte rrugën e proceseve integruese.

Dy vjet më vonë, në prag të marrjes së këtij statusi, opozita, këtë rradhë PD, ngriti fushatën e trafikut të drogës që sipas saj bëhej nga bazat ushtarake, duke dashur në këtë mënyrë të pengonte procesin. Për fat të mirë aleatët tanë, SHBA dhe NATO, i hodhën poshtë akuzat dhe BE na dha statusin.

Gjithë këtë hyrje, e bëra për të treguar sesa klasë politike të papërgjegjshme kemi.

Sot, katër vjet më vonë SHBA dhe BE kërkojnë miratimin e një reforme e cila do të reformojë sistemin e drejtësisë dhe mundësojnë fillimin e anëtarësimit tonë në BE. E kërkojnë amerikanët dhe evropianët në mënyrën më të hapur të mundshme. Ambasadorët kanë hequr çdo dorashkë, dhe titullarë të SHBA dhe BE po e kërkojnë haptas votimin e kësaj reforme. Duhet të jesh naiv të mendosh se kjo reformë do të rregullojë drejtësinë me shkop magjik, në një kohë që kemi një sistem politik dhe gjyqësor të korruptuar në palcë. Do të jetë një proces i gjatë pasja e një drejtësie të pastër, ndoshta më shumë se jeta e një brezi. Do të jetë e vështirë të besohet se pushteti nuk do të rrijë pa futur duart në aplikimin e kësaj reforme, përkundrazi. Beteja për rinovimin e shoqërisë shqiptare do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Por nuk mund të mbetemi peng vetëm pse disa politikanë kanë frikë nga drejtësia që mund të vijë. Dhe kur them politikanë, kuptoj të gjitha palët, që në mënyrën e tyre po i vënë shkopinj në rrota.

Hamendësohet se prokurorët dhe gjykatësit e rinj që do të vijnë do të jenë vegla të pushtetit aktual. Ka shumë mundësi. Por nuk mund të rrimë pa e provuar, edhe sikur të ketë 1% mundësi që kjo të funksionojë. E vetmja zgjidhje radikale do të ishte një tranfuzion gjaku i politikës, por kjo nuk ndodh. Ndaj kjo reformë duhet votuar. Ky sistem gjyqësor ka gjyqtarë që të trembin me pasuritë e tyre, që tashmë konkurojnë edhe bizneset, ndaj duhet shkundur. Ja vlen të votohet kjo reformë, qoftë edhe sikur efekti i saj të jetë një natë frikë e atyre që i kanë bërë pasuritë duke zhvatur hallexhinjtë në emër të karriges që ju ka dhënë shteti. Kjo reformë duhet bërë, pasi miqve tanë ju duhet të justifikojnë veten për hapin që do të ndërrmarin duke filluar bisedimet për të na futur në BE. Atëhere po, që do të fillojë reforma e vërtetë. Por për momentin duhet votuar kjo që është. Ndaj këtë rradhë ju them demokratëve: Votojeni në keni perëndi./dritare.net