
Nxehtësia ekstreme është vrasëse dhe ndikimi i saj po bëhet gjithnjë e më vdekjeprurës pasi kriza klimatike e shkaktuar nga njeriu po rrit temperaturat, sipas një studimi të ri, i cili vlerëson se ngrohja globale ka trefishuar numrin e vdekjeve në valën e fundit të të nxehtit në Evropë.
Për më shumë se një javë, temperaturat në shumë pjesë të Evropës kaluan 38 gradë Celsius. Atraksionet turistike u mbyllën, zjarre të mëdha përfshinë disa vende dhe njerëzit u përpoqën të përballonin vapën në një kontinent ku ajri i kondicionuar është i rrallë.
Rezultati ishte vdekjeprurës. Vlerësohet se mijëra njerëz humbën jetën, sipas një studimi të analizës së shpejtë, të parë në llojin e tij, të publikuar të mërkurën.
Një ekip studiuesish të udhëhequr nga Imperial College London dhe Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër analizoi 10 ditë të nxehti ekstrem, nga 23 qershori deri më 2 korrik, në 12 qytete evropiane, përfshirë Londrën, Parisin, Athinën, Madridin dhe Romën.
Ata përdorën të dhëna historike të motit për të llogaritur sa intensive do të kishte qenë vala e të nxehtit nëse njerëzit nuk do të kishin djegur lëndë djegëse fosile dhe nuk do ta kishin ngrohur botën me 1.3 gradë Celsius. Ata zbuluan se ndryshimet klimatike e bënë valën e të nxehtit në Evropë 1 deri në 4 gradë Celsius (1.8 deri 7.2 Fahrenheit) më të nxehtë.
Shkencëtarët më pas përdorën kërkime mbi lidhjen mes nxehtësisë dhe vdekjeve ditore për të vlerësuar sa njerëz humbën jetën.
Ata zbuluan se rreth 2,300 njerëz vdiqën gjatë dhjetë ditëve të të nxehtit në 12 qytetet, rreth 1,500 më shumë në një botë pa ndryshime klimatike. Me fjalë të tjera, ngrohja globale ishte përgjegjëse për 65% të totalit të vdekjeve.
“Rezultatet tregojnë se rritjet relativisht të vogla në temperaturat më të larta mund të shkaktojnë rritje të mëdha të vdekjeve,” shkruan autorët e studimit.
Nxehtësia ndikon veçanërisht keq te njerëzit me probleme shëndetësore të mëparshme, si sëmundje të zemrës, diabeti dhe probleme me frymëmarrjen.
Personat mbi 65 vjeç ishin më të prekurit, duke përbërë 88% të vdekjeve të tepërta, sipas analizës. Por nxehtësia mund të jetë vdekjeprurëse për këdo. Pothuajse 200 nga vdekjet e vlerësuara në 12 qytetet ishin te njerëzit e moshës 20 deri në 65 vjeç.
Ndryshimet klimatike ishin përgjegjëse për shumicën dërrmuese të vdekjeve nga nxehtësia në disa qytete. Në Madrid, ato përbënin rreth 90% të vdekjeve të vlerësuara nga vala e të nxehtit, sipas analizës.
Studimi që fokusohet në 12 qytete është vetëm një pasqyrë e numrit të vërtetë të vdekjeve në të gjithë kontinentin, i cili vlerësohet se mund të jetë dhjetëra mijëra.
“Valët e të nxehtit nuk lënë pas vetes një gjurmë të dukshme shkatërrimi si zjarret apo stuhitë,” tha Ben Clarke, autor i studimit dhe studiues në Imperial College London. “Ndikimet e tyre janë kryesisht të padukshme por shkatërruese – një ndryshim prej vetëm 2 apo 3 gradësh Celsius mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes për mijëra njerëz.”
Bota duhet të ndalojë djegien e lëndëve fosile që valët e të nxehtit të mos bëhen më të nxehta dhe më vdekjeprurëse, dhe qytetet duhet të përshtaten urgjentisht, tha Friederike Otto, shkencëtare klimatike në Imperial College London.
“Kalimi te energjia e rinovueshme, ndërtimi i qyteteve që mund t’i rezistojnë të nxehtit ekstrem dhe mbrojtja e më të varfërve dhe më të pambrojturve është absolutisht thelbësore,” tha ajo.
Akshay Deoras, shkencëtar në Universitetin e Reading që nuk ishte pjesë e analizës, tha se “teknikat e fuqishme të përdorura në këtë studim nuk lënë asnjë dyshim se ndryshimet klimatike tashmë janë një forcë vdekjeprurëse në Evropë.”
Richard Allan, profesor i shkencës së klimës në Universitetin e Reading dhe gjithashtu i pa përfshirë në raport, tha se studimi shton edhe më shumë prova se ndryshimet klimatike po e bëjnë të nxehtin më intensiv, “duke bërë që nxehtësia e moderuar të bëhet e rrezikshme dhe nxehtësia ekstreme të bëhet e paprecedentë.”
Dhe nuk është vetëm nxehtësia që po përforcohet në një botë më të nxehtë, shtoi Allan. “Ndërsa një pjesë e globit digjet dhe përvëlohet, një tjetër mund të përjetojë reshje të dendura dhe përmbytje katastrofike.”/L.F-dritare.net

















