Vjedhja e rezidencës së Princit William, dy shqiptarë të arrestuar!
Dritare.net

Dy të arrestuarit për vjedhjen e shtëpisë së princit William në Sandringham, Norfolk, janë shqiptarë. The Sun raporton se dy hajdutët nuk e dinin që shtëpia i përket çiftit mbretëror të Princit dhe Princeshës së Uellsit.
Njëri prej tyre, emigrant i paligjshëm, kishte kërkuar azil më herët. Statusi i qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar i të dyshuarit tjetër mbetet i paqartë, ndërsa po kryhen verifikime të mëtejshme lidhur me të kaluarën e tyre.
Alarmi i sigurisë u aktivizua pak para orës 18:00 të së hënës, në një kohë kur William, Kate dhe fëmijët e tyre nuk ndodheshin në pronë.
Mbreti Charles po qëndronte në Sandringham House, rreth pesë kilometra larg, në atë moment. Ndërsa Andrew Mountbatten-Windsor ndodhej në banesën e tij, Marsh Farm, në anën tjetër të pronës prej 20 mijë hektarësh.

Mendohet se hajdutët e maskuar aktivizuan sistemet e sigurisë, të cilat përfshijnë kamera vëzhgimi, teknologji lazer dhe sensorë në tokë, dhe më pas u larguan me shpejtësi.
Policia nisi një operacion të madh kërkimi me qen dhe dronë, ndërsa një helikopter i Shërbimit Kombëtar Ajror të Policisë, i pajisur me teknologji infra të kuqe, u nis nga një bazë në Nottingham. Helikopteri i policisë qëndroi për rreth dy orë mbi zonë. Dy grabitësit u kapën brenda territorit të pronës.
Policët përdorën detektorë metalesh dhe kontrolluan shkurret derisa ra errësira. Autoritetet dhe Pallati Kensington refuzuan të deklaronin nëse nga banesa ishte vjedhur ndonjë send.
William dhe Kate u informuan të hënën në mbrëmje për hyrjen me forcë në banesë dhe thuhet se ishin “jashtëzakonisht të shqetësuar”.
Anëtarët e rëndësishëm të Familjes Mbretërore kanë oficerë personalë sigurie, të cilët ofrojnë mbrojtje 24 orë në ditë, nga njësia e Policisë Metropolitane për Mbrojtjen e Familjes Mbretërore dhe Personave të Veçantë.
Komiteti Mbretëror dhe i Sigurisë për Personat VIP, i përbërë nga përfaqësues të policisë, qeverisë dhe Oborrit Mbretëror, përcakton nivelet e sigurisë dhe do të vlerësojë nëse nevojiten masa shtesë pas këtij incidenti.
Mbretëresha e ndjerë ia dhuroi Anmer Hall William dhe Kate si dhuratë martese. Çifti tashmë ka rezidencën kryesore në Windsor, por vila madhështore në Norfolk vazhdon të mbetet vendstrehimi i tyre familjar në fshat.
Ata kalojnë atje pushimet verore dhe pushimet shkollore. Gjithashtu, ajo ishte vendi ku u strehuan gjatë pandemisë së Covid-19.
Kjo pronë u bë gjithashtu pjesë e procesit të rikuperimit të Kate nga kanceri, pasi ajo iu përkushtua natyrës dhe kalimit të kohës në ambient të hapur./dritare.net