Vendimi për Thaçin dhe ish-krerët e UÇK-së. BE mesazh Kosovës dhe rajonit
Dritare.net
Bashkimi Evropian ka reaguar pas vendimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve në Kosovë dhe në rajon të tregojnë përmbajtje dhe të respektojnë procesin gjyqësor.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Christian Wigand, deklaroi se BE-ja ka marrë shënim aktgjykimin dhe ritheksoi mbështetjen për punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sipas Wigand, proceset në Dhomat e Specializuara zhvillohen mbi parimin e përgjegjësisë individuale penale, ndërsa katër ish-drejtuesit e UÇK-së kanë të drejtën ta apelojnë vendimin e shkallës së parë.
“BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve në Kosovë dhe në rajon që të tregojnë përmbajtje”, deklaroi Wigand, duke theksuar se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë mandatin e tyre pa ndërhyrje.
Komisioni Europian theksoi gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së viktimave dhe dëshmitarëve dhe krijimin e një mjedisi pa frikësim apo hakmarrje. Sipas BE-së, puna e Dhomave të Specializuara duhet të kontribuojë në sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë./K.C./dritare.net