U sulmua për deklaratën e ‘200 mijë shfaqjeve për një gomë të djegur’, përgjigjet Saimir Pirgu
Dritare.net
Për të sqaruar të gjithë sulmet ndaj tij, në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga, në Vjenë, Saimir Pirgu tha se, “Shqipëria nuk është vetëm atdheu im, është edhe brandi im, ndaj imazhi i saj më prek”.
Pjesë nga intervista e dhënë për dritare.net. Të plotë mund ta ndiqni në kanalin YouTube “Dritare me Rudinën”.
Saimir Pirgu: Kur jeton në Shqipëri, nuk e kupton se jeton mes ndotjes, se tymit te makinave dhe stresit që të kalosh nga 21 deri te Teatri i operës, apo nga Kryeministria te Akademia e Arteve. Kaq është Shqipëria, dhe rrotullohemi aty. Ato katër udhëkryqe janë gjithmonë me trafik, janë gjithmonë me një policë që thithin tym. Ata njerëz iu vërsulën Saimirit që nuk e ka këtë problem. Unë vij njëherë në vit apo dy herë në vit, Dhe dua që vendi im të zhvillohet e përmirësohet.
Rudina Xhunga: Ndaj ndërhyn në jetën publike të vendit që i përket?
Saimir Pirgu: Nuk është një ndërhyrje. Unë nuk kam asnjë fuqi ndërhyrjeje në mendimin e shqiptarëve. Unë dhashë vetëm një mendimin tim. Kur shikon vendin tënd që nuk është mirë, që ka probleme, nuk të vjen mirë. Këtë gjë e identifikon vetëm kur je këtej, jo në Shqipëri. Vetëm kur je jashtë 300 ditë në vit.
Por për gjithë pseudointelektualët që u ndjenë të fyer, mund të them, më vjen vërtet keq për ta. Mendoj që ka disa gjëra që ne shqiptarët duhet të mësojmë nga bota, sidomos nga diplomacia e botës. Franca dhe Gjermania u përplasën në Luftën e Dytë Botërore, por sot janë mbretër të Evropës.
Rudina Xhunga: Prandaj kujdesesh ti për imazhin e vendit tënd, sepse është edhe imazhi i brandit tënd, atë brand, the albanian tenor.
Saimir Pirgu: Po më identifikon, sepse me lehte sesa ju kujtohet emri, ju kujtohet brandi. Albanian tenor.
E kam përdorur albanian tenor, më ka bërë te njohur dhe ndihem krenar. Si te mos ndihem? Nga Shqipëria, unë vetëm të mira kam pasur. Ndaj dua t’i kthej gjithë çfarë marr prej saj. Se Shqipëria nuk është vetëm atdheu im, është edhe brandi im./dritare.net