
Rama: Pjerin edhe ata nënkryetarët e tu janë shumë të lodhur, duhet t’i shkarkosh
Dritare.net
Gjatë një takimi me kryebashkiakët, Kryeministri Edi Rama nuk kurseu kritikat, duke kërkuar hapur shkarkimin e nënkryetarëve të bashkive në vend. Duke iu drejtuar me tone të drejtpërdrejta kryebashkiakëve, Rama theksoi nevojën për një rifreskim të thellë në administratën vendore, duke përmendur lodhjen dhe mungesën e energjisë tek zëvendësit vendorë.
Veçanërisht, kryeministri u ndal te kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ku me humor por edhe vendosmëri, i kërkoi që të marrë masa:
“Pjerin, edhe nënkryetarët e tu i shoh shumë të lodhur. Në nderin tatë është që t’i shkarkosh të gjithë,” – u shpreh Rama.
Ai theksoi se ndryshimet nuk janë qëllim në vetvete, por një domosdoshmëri për të rritur kapacitetet e administratës dhe përballimin e sfidave të reja.
“Çështja e rifreskimit masiv të drejtorëve në bashki dhe në institucionet qendrore të qarqeve nuk është qëllim, por një domosdoshmëri që duhet adresuar për të rritur aksesin e njerëzve të zotë në punën tonë të përbashkët.”
Kryeministri sugjeroi gjithashtu ndarjen e roleve të nënkryetarëve mes çështjeve urbane dhe rurale, duke nënvizuar se mungesa e energjisë në poste kyçe administrative rrezikon të dobësojë efektivitetin e qeverisjes lokale.
Rama la të kuptohet se rifreskimi i administratës lokale do të jetë një proces i gjerë, që nuk do të ndalet vetëm te nënkryetarët e bashkive, por do të prekë edhe drejtues të institucioneve në qarqe./K.C/dritare.net

















