
Vrasja e policit nga Azgan Mernica, dëshmitari tregon si ndodhi ngjarja
Dritare.net
Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga vrasja e efektivit të “Shqiponjave” Novruz Cenalia mesditën e 13 majit 2024, ngjarje për të cilën Prokuroria e Fierit shpalli sot pretencën dhe kërkoi burg përjetë për autorin, Azgan Mernica.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha sjell detaje nga dosja hetimore, një ndër to është edhe dëshmia okulare e Cenë Qelia, i cili gjatë hetimeve parapake ka deklaruar se si vrasësi Azgan Mernica kishte hyrë kundra-vajtje dhe se si qëlloi gjakftohtë oficerin e policisë.
Ngjarja sipas dëshmitarit ndodhi në mesditë dhe ai pa gjithçka, pasi kishte qenë duke konsumuar një pije freskuese në një lokal që ndodhet në fshatin Baltëz. Ai ka deklaruar se ishte jashtë lokalit dhe nën shoqërinë e Ledionit dhe të Hermesit, kushëriri i Ledionit.
Gjatë kësaj kohe ka parë që po kalonte afër tyre nipi i tij Novruz Cenalia që ishte oficer policie. Dëshmitari tha se Novruzi ishte me automjetin e tij tip Benz dhe i ka përshëndetur me dorë.
“Në atë moment është afruar me shpejtësi një automjet me ngjyrë të zezë ose blu, e cila ishte me xhama të zinj. Ky mjet, në momentin e marrjes së kthesës, ishte futur pothuajse në krahun e kundërt të rrugës për nga ishte drejtimi i Novruzit dhe për pak desh janë përplasur. Në këtë moment Novruzi ka frenuar totalisht automjetin e tij, për të evituar përplasjen. Edhe autori ka devijuar automjetin e tij për mos u përplasur dhe është larguar pak metra nga dyqani për në drejtim të Baltëz-Hamil ku ka ndaluar automjetin.
Autori, i cili ishte një djalë i ri, i gjatë, i dobët, i moshës rreth 20-25vjeç, i veshur me rroba të zeza me bluzë me krahë të shkurëra dhe me pantallona të zeza, që mbante në krah një çantë me ngjyrë të zezë, ka futur dorën në çantën e zezë dhe ka nxjerrë një armë të cilën e mbushi, e karikoi me të dy duart dhe më pas e mbante në dorë përpara duke e drejtuar atë nga Novruzi. Është afruar me armën në dorë dhe i drejtohet Novruzit me fjalët “Ç’a do? Ç’a halli ke?”.
Novruzi ishte brenda në automjet dhe ka hapur derën e ka dalë nga mjeti. Ai ishte i veshur me uniformën dalluese të policisë me ngjyrë të kuqe dhe blu (e cila më duket se i përkiste repartit Shqiponja të qytetit të Fierit) dhe i drejtohet autorit me fjalët “Ku shkon ti me atë armë?”.
Autori nuk i ktheu asnjë fjalë Novruzit, por po e kërcënonte me armë. Një grua, e cila ishte me autorin në automjetin e tij, në vendin e parë të pasagjerit, doli nga mjeti dhe i drejtohet disa herë me fjalët “O Azgan mos, o Azgan mos”- thotë dëshmitari dhe u është afruar të dyve dhe më shumë nga ana e Novruzit, me qëllim për t’i folur dhe mos të bënte ndonjë veprim duke i thënë “mos bëj gabim, qetësohu”.
Ndërkohë i është drejtuar edhe autorit me fjalët “Hiqe atë armë se nuk është lodër”. Novruzi, i cili mbante gjatë gjithë kohës dorën tek pistoleta pa e nxjerrë atë, në momentin kur i ka folur autorit, ka nxjerrë armën. Ky ishte momenti fatal për Novruzin, pasi sapo ai nxori armën, autori i qëlloi në drejtim të fytyrës vetëm një herë dhe më pas është larguar me nxitim në automjet e me shpejtësi në drejtim të fshatit Hamil së bashku me gruan që kishte me vete. Novruzi është rrëzuar në tokë pa ndjenja. I është afruar bashkë me Ledionin duke i thirrur, por ai nuk përgjigjej”.
I pyetur nëse e njihte autorin e ngjarjes, deklaruesi ka deklaruar se nuk e njihte, por thjesht ka dëgjuar fjalët “Azgan” që përdori gruaja kur i tha “Azgan mos” dhe se nuk e kishte parë asnjëherë këtë shtetas.
Edhe një dëshmitar citoi prokurori pa se si efektivi i policisë e pyeti vrasësin pse nuk mbante korsinë e tij.
“Novruzi i tha Ku shkon? Pse s’mban korsinë tënde?”, dhe ky ka qenë fillimi i konfliktit.
I pyetur nëse Novruzi kishte nxjerrë armën e shërbimit dhe a pati shkëmbim zjarri mes tyre, deklaruesi u përgjigj se në momentin kur ata po debatonin, autori armën e mbante përpara vetes dhe me drejtim nga toka, ndërsa kur Novruzi doli nga mjeti, sapo pa autorin me armë, dorën po e mbante afër pistoletës, por pa e nxjerrë atë dhe në këtë moment dëshmitari i tha vraësit ia ka bërë me dorë, duke i thënë “mos”, me qëllim që mos të konfliktoheshin me armë dhe debati po vazhdonte.
Në këtë moment është futur brenda për në dyqan sepse nuk ka menduar se do të degjeneronte konflikti në këtë mënyrë, dhe nuk e ka parë Novruzin të nxjerrë armën e shërbimit. Në debat e sipër është afruar për t’i ndarë edhe Cen Qelia, i cili nuk arriti dot t’i ndante, por dhe gruaja që ndodhej në mjetin e autorit, rreth 40-45 vjeçe, po tentonte të bindte autorin./TCH

















