Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çfarë po ndodh në Theth? Reagon policia

Çfarë po ndodh në Theth? Reagon policia

Një ngjarje e tensionuar ka ndodhur në Theth, ku rreth orës 15:35 një person ende i paidentifikuar hodhi një shishe me lëndë djegëse në rrugë, duke tentuar të djegë një urë druri në lagjen “Gjelaj”. Falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë, djegia e plotë e urës u parandalua, megjithatë ura ka pësuar dëmtime të pjesshme nga zjarri.

Lajmet paraprake për sulm me molotov ndaj mjeteve fadromë të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) janë sqaruar nga Policia, e cila bën me dije se asnjë fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk ka pasur dëmtime materiale apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore.

Ngjarja vjen në një kohë kur në Theth vijon plani për prishjen e ndërtimeve pa leje. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Forca Kombëtare të Sigurisë ndodhen në zonë në mbështetje të strukturave të IKMT Tiranë dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Shkodër për zbatimin e këtij plani.

Në lidhje me ngjarjen, Policia Shkodër ka dhënë këtë reagim zyrtar:

“Në lidhje me një lajm të publikuar në media dhe rrjete sociale, se në fshatin Theth janë sulmuar me lëndë djegëse (molotov) mjetet fadromë të IKMT-së dhe një urë në lagjen ‘Gjelaj’, sqarojmë se:

Rreth orës 15:35, një shtetas ende i paidentifikuar ka hedhur në rrugë një shishe me lëndë djegëse, duke tentuar djegien e një ure druri, por me ndërhyrjen e Policisë është parandaluar djegia e plotë e saj. Nga zjarri, ura ka pësuar dëmtime të pjesshme.

Sqarojmë se asnjë mjet fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm material apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë ndodhen në zonë, në mbështetje të strukturave të IKMT Tiranë dhe IMT të Bashkisë Shkodër, për zbatimin e planit për prishjen e ndërtimeve pa leje në fshatin Theth.

Grupi hetimor vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e personit që hodhi në rrugë lëndën djegëse.

Policia është e vendosur për të garantuar sigurinë e shtetasve dhe të automjeteve që punojnë në zonë për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe apelon për banorët që të mos kryejnë veprime që pengojnë veprimet e ligjshme të strukturave që operojnë në terren, pasi do të përballen me forcën e ligjit.”, thuhet në reagimin e policisë./K.C/dritare.net