Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Nga e hëna do sekuestrohet çdo shishe qumështi dhe bulmet pa faturë

Rama: Nga e hëna do sekuestrohet çdo shishe qumështi dhe bulmet

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një paralajmërim të prerë në takimin e sotëm me kryebashkiakët e vendit, duke bërë të ditur se nga e hëna e ardhshme do të nisë sekuestrimi i të gjitha produkteve të qumështit dhe bulmetit që tregtohen pa faturë. Sipas Ramës, nuk do të ketë më paralajmërime për tregtarët që shesin produkte të tilla në mënyrë të paligjshme, sidomos në kushtet e temperaturave të larta që përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve.

“Drejtoria e Tatimeve është angazhuar për të sensibilizuar ata që tregtojnë qumësht dhe bulmet pa faturë që të mos e bëjnë më këtë gjë, sepse nga java e ardhshme do të konfiskohet çdo shishe qumështi dhe bulmeti pa faturë. Është e patolerueshme në pikëpamje të ligjit tatimor, dhe është edhe e rrezikshme në këtë fazë të vitit dhe me këto temperatura të larta, sepse mund të shkaktojë helmime që mund të evitohen. Nga e hëna e ardhshme nuk kemi më paralajmërime, por vetëm sekuestrime në dyqane dhe në tregje”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se aksioni synon jo vetëm zbatimin e ligjit, por edhe mbrojtjen e shëndetit publik në një periudhë ku produktet e prishshme si qumështi dhe bulmeti mund të përbëjnë rrezik serioz për konsumatorët nëse nuk janë të kontrolluara dhe të faturuara sipas rregullave./K.C/dritare.net