
Shkodra i jep lamtumirën e fundit Kapiten Arben Anamalit. Flet bashkëshortja e tij!
Dritare.net
Shkodra është sot në zi, teksa i dha lamtumirën e fundit Arben Anamalit, kapitenit 50-vjeçar që humbi jetën në përpjekje për të shpëtuar një grup turistësh izraelitë në Liqenin e Shkodrës.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak ditë më parë, kur një grup turistësh rrezikoi të mbytej. Pa hezituar, kapiten Anamali u hodh në ujë për t’u ardhur në ndihmë. U hodhi jelekët e shpëtimit, përfshirë edhe atë që kishte vetë dhe arriti të shpëtonte jetët e tyre. Por vetë nuk u kthye më në bord.
Trupi i tij u gjet pas tre ditësh kërkimesh intensive.
“Më njoftoi një koleg që ka punuar me të në anije. Më tha që Beni ka pësuar një aksident. S’e mendova kurrë se ishte mbytur, se ishte shumë i fortë. Është dhimbje shumë e madhe për ne”, tha mes lotësh bashkëshortja e tij, Najada Isufi.
Për këtë akt heroik në mbrojtje të jetës njerëzore, qeveria shqiptare e ka shpallur Arben Anamalin me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”.
Emri i tij pritet të mbetet i gjallë në kujtesën e qytetit dhe të gjithë shqiptarëve, si një shembull i jashtëzakonshëm humanizmi dhe sakrifice./K.C/dritare.net

















