
Situata e tensionuar në Theth, mesazhi i Arqipeshkëvit të Shkodrës
Dritare.net
Pas tensioneve të fundit në Theth, të shkaktuara nga aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje dhe kundërshtimi i fortë i banorëve lokalë, ka reaguar publikisht edhe Arqipeshkëvi i Shkodrës. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, ai ka bërë thirrje për qetësi, dialog dhe respektim të ligjit.
“Nisur nga zhvillimet e fundit në zonën e Thethit dhe duke parë situatën e tensionuar ndërmjet banorëve dhe autoriteteve shtetërore, jemi të shqetësuar për çka po ndodh dhe përveç lutjeve tona, ndihemi të detyruar të shprehim edhe qëndrimin tonë”, thuhet në deklaratë.
Kisha Katolike, theksohet më tej, është gjithmonë në anën e paqes dhe të arsyes dhe i bën thirrje të gjithë palëve të angazhohen për zgjidhje përmes dialogut.
“Dënojmë me vendosmëri të gjitha format e dhunës, nga cilado palë që të vijë ajo. Jemi në krah të të gjithë njerëzve vullnetmirë, të atyre që punojnë me ndershmëri, sakrificë e dinjitet, shpesh në vuajtje dhe në heshtje. Respekti për ligjin dhe drejtësinë është një detyrë thelbësore për të gjithë”, shprehet Arqipeshkvia.
Një theks i veçantë i është dhënë ruajtjes së mjedisit, por edhe mbështetjes për banorët që përpiqen të jetojnë ndershmërisht dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në kushte të vështira.
“Ne besojmë se është themelore ta mbrojmë mjedisin, një dhuratë e çmuar nga Zoti, por në të njëjtën kohë, është gjithashtu e nevojshme të mbrojmë ata që, me punë të palodhur dhe me përkushtim, përpiqen të jetojnë ndershmërisht dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre”, thuhet në deklaratën e Arqipeshkëvisë së Shkodrës.
Në përmbyllje, bëhet thirrje për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe paqësore të kësaj situate të tensionuar./K.C/dritare.net

















