Na ndiqni edhe në

Opinione

Lufta e padukshme! Si shërbimet sekret ukrainase tronditën Rusinë dhe Perëndimin!

Lufta e padukshme! Si shërbimet sekret ukrainase tronditën Rusinë

Nga Evarist Beqiri *

Në fillim të luftës në Ukrainë, askush nuk ushqente besim në aftësinë e shërbimeve inteligjente ukrainase. Për shkak tëlidhjeve të dyshimta me Rusinë dhe integritetit të komprometuar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, bashkëpunimi me to ishte i kujdesshëm. Por ndodhi e papritura, në ditën e errët të pushtimit ukrainasit qëndruan.

Ky është një ndër faktorët më pak të përmendur, që çoi në dështimin e llogaritjes strategjike të Kremlinit. Shërbimet sekrete ruse, të bindura se do ta merrnin Kievin pa luftë, gabuan rëndë. Gjithsesi, shërbimet ruse janë këmbëngulëse dhe të qëndrueshme. Në filozofinë e tyre është rrënjosur thellë sulmindaj shteteve të tjera, por edhe ndaj “armiqve të brendshëm”.Pas dobësimit së influencës në Siri, Iran, Armeni, Azerbajxhan, Kirgistan dhe Uzbekistan, ky tipar po shpaloset sërish me eleminimet në elitën e Kremlinit.

Dështimi rus u përball me një tjetër kthesë historike. Shërbimet ukrainase, falë mbështetjes së drejtpërdrejtë nga CIA dhe NSA, pësuan një transformim të rrufeshëm. Ndihma u përqendrua në përzgjedhjen e objektivave, në përdorimin e sinjaleve, satelitëve, pajisjeve, dhe më së shumti në hartimin e strategjive asimetrike. Vrasjet e gjeneralëve rusë nuk janë rastësi, por kulm i operacioneve të përbashkëta, ku informacioni amerikan dhe ekzekutimi ukrainas përfunduan me saktësi kirurgjikale.

Ka edhe një tjetër përmasë që nuk mund të neglizhohet: komunikimi strategjik. Që nga Kriza e Kubës më 1962, deri te ndërhyrja në Irak më 2003, shërbimet amerikane kanë deklasifikuar informacione për publikun e gjerë, duke synuarformësimin e perceptimeve dhe ndikimin e vendimmarrjes. Dy shembujt: kriza e raketave në Kubë dhe lufta në Irak, nxjerrin në pah ekuilibrin e brishtë midis suksesit dhe dështimit në përdorimin strategjik të inteligjencës.

Në retrospektivë, reagimi vendimtar i SHBA-së ndaj krizës kubane konsiderohet si një ndërhyrje e suksesshme. Ndërsa pushtimi i Irakut perceptohet si një nga dështimet e politikës së jashtme amerikane që nga Lufta e Vietnamit. Në rastin e parë, përfundimet e nxjerra nga inteligjenca, mbi të cilat u ndërtua qëndrimi amerikan, rezultuan të sakta. Në rastin e dytë, ato ishin të gabuara.

Rasti i Irakut ilustron rreziqet serioze të përdorimit të inteligjencës si mjet për komunikim strategjik. Si edhe dështimet në mbledhjen dhe analizën e të dhënave, politizimin e informacionit, deri te dëmtimi i rëndë i imazhit ndërkombëtar të SHBA-së dhe besueshmërisë së agjencive të saj të inteligjencës.Një dëm që la pasoja për dekada.

Në Ukrainë, në ditët e para të pushtimit, vlerësimi perëndimor ishte katastrofik: thuhej se Kievi do binte për disa ditë. Ky ishte një dështim i inteligjencës. Këtë herë, jo i shërbimeve ruse, por i atyre perëndimore. Ato nënvlerësuan thellësisht shpirtin luftarak, kapacitetin e rezistencës, ndershmërinë e elitave të sigurisë ukrainase dhe lidershipin e presidentit Zelenski. Është e vështirë të parashikohet mënyra e reagimit të njerëzve dhe lidershipit në kohë krize. Vetëm Byroja e Inteligjencës dhe Kërkimeve (INR) në Departamentin e Shtetit, bëri vlerësimin më të saktë. INR ka parashikuar saktë edhe zhvillimet në Vietnam e Irak, duke kundërshtuar vlerësimet e agjencive më të mëdha.

Qëllimi i vendimit të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për të deklasifikuar gjerësisht informacione, në prag të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, ishte të pengohej pushtimi. Njëkohësisht të paralajmëroheshin aleatët dhe të konsolidohej reagimi ndërkombëtar ndaj Rusisë. Kjo qasje ishte e paprecedent si për nga shkalla dhe koherenca, ashtu edhe për nga natyra e informacionit të zbuluar. Megjithëse, nuk u shmang konflikti, agresioni rus u shfaq lakuriq në sytë e botës mbarë.

Komunikimi strategjik më transparent në vlerësimin ekërcënimeve nuk është e kufizuar vetëm te lufta në Ukrainë. Gjatë dekadave të fundit, shërbimet perëndimore janë bërë më të hapura në trajtimin e kërcënimeve nga terrorizmi. Së fundmi, kjo hapje është zgjeruar edhe ndaj kërcënimeve hibride dhe aktiviteteve ndikuese informative.

Por suksesi i shërbimeve ukrainase nuk është meritë vetëm e ndihmës perëndimore. Lufta me mjete të kufizuara e çoji krijimtarinë e tyre përtej kufijve të imagjinatës. Përdorimi masiv i dronëve në ajër, në tokë dhe në det, e transformoi mënyrën sesi kuptohet lufta moderne. Sot, asnjë ushtri në glob nuk mund të mendojë më për fushëbetejën pa marrë parasysh përvojën ukrainase. Shpata nuk është më e rëndësishme se sa krahu që e përdor atë. Fati i një lufte nuk vendoset vetëm nga armatimet, por nga mënyra sesi ato përdoren.

Tradicionalisht, Rusia është një vend tepër i vështirë përpenetrim nga shërbimet perëndimore. Sot, shërbimet ukrainase janë të vetmet në botë, që janë në gjendje të kryejnë me suksesoperacione në thellësi të territorit rus. Imagjinata dhe kreativiteti janë vendimtare në operacionet e shërbimeve të fshehta. Mjafton që të shikoni operacionin e fundit nën mbulesë, ku shërbimet ukrainase, transportuan dronët në mënyrë klandestine me kamionë dhe përdorën inteligjencën artificiale për të goditur nëzemër të Rusisë. Shërbimet inteligjente që guxojnë të mendojnë jashtë skemave klasike, po vendosin fatin e konflikteve.

Ukraina po ndryshon luftën asimetrike. Ata po sulmojnë duke përdorur inovacionin dhe duke shmangur mbrojtjen konvencionale. Ukrainasit po rezistojnë akoma. Ata u përshtatën ndaj teknologjisë, duke ndërtuar një modeli të ri të rezistencës kombëtare, që do të studiohet për dekada në akademitë ushtarake.

Nga ana tjetër, Moska po punon fort për rindërtimin e forcave të saj ushtarake dhe mund të rikthehet shpejt si një sfidë e drejtpërdrejtë për sigurinë evropiane. Vlerësimet e bëra publike nga shërbimet e inteligjencës së disa vendeve perëndimore sjellin një panoramë shqetësuese të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Evropë. Ato paralajmërojnë qartë për pasojat potencialisht të rënda që do të sillte një armëpushim apo një “paqe” në Ukrainë, nëse kjo do t’i imponohej vendit nën kushtet e Rusisë. Garantimi i sigurisë, duke forcuar kapacitetet embrojtjes kolektive në Evropë, është një domosdoshmëri.

Historia është mësuese mizore për ëndërrimtarët me sy hapur.Aleancat janë të rëndësishme, por jo magjike. Liria nuk është kurrë e lirë. Shqipëri duhet të rivlerësojë rolin e shërbimeve inteligjente, jo thjesht dhe vetëm si një strukturë administrative,por si instrument strategjik kyç i sigurisë kombëtare. Shërbimetduhet të kenë burimet, kapacitetet e duhura dhe vizion afatgjatë.Në fushëbetejën e së ardhmes, ai që mendon ndryshe do të jetë fitimtari./dritare.net

* ish-drejtor i Institutit të SHISH