Na ndiqni edhe në

Aktualitet

Turizmi, mbi 9.4 milionë vizitorë të huaj në Shqipëri

Shqipëria ka regjistruar mbi 9.4 milionë vizitorë të huaj gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 5.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vetëm gjatë muajit gusht, vendi është vizituar nga më shumë se 2.4 milionë turistë të huaj, duke konfirmuar vijimin e fluksit të lartë turistik gjatë sezonit veror.

Shifrat janë bërë publike nga ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, i cili i cilësoi ato si tregues të konsolidimit të Shqipërisë si një destinacion konkurrues në tregun ndërkombëtar të turizmit.

“Mbi 9,4 milionë vizitorë të huaj në 8-mujorin e vitit 2026, me një rritje prej 5,3%, krahasuar me 2025 dhe mbi 2,4 milionë vetëm në gusht”, shkroi Gonxhja.

Sipas ministrit, sfida tashmë është që rritja e numrit të vizitorëve të shoqërohet me zhvillim të qëndrueshëm të sektorit, përmes investimeve cilësore, organizimit të eventeve, rijetëzimit të trashëgimisë kulturore dhe zgjerimit të ofertës turistike gjatë gjithë vitit.

Gonxhja theksoi se synimi është që zhvillimi i turizmit të sjellë më shumë punësim, forcim të ekonomive lokale dhe përmirësim të mirëqenies së familjeve shqiptare.

Rritja e numrit të vizitorëve në 8-mujor vjen në një kohë kur Shqipëria po synon të shtrijë sezonin turistik përtej muajve të verës dhe të diversifikojë ofertën përmes turizmit kulturor, natyror dhe atij të eventeve./L.F-dritare.net