Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Trump: E teprova me emigrantët, humbëm vota në zgjedhje!

Trump: E teprova me emigrantët, humbëm vota në zgjedhje!

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pranuar se masat e ashpra kundër emigrantëve kanë qenë të tepruara, duke bërë një nga deklaratat më të qarta të distancimit nga politika e tij e imigracionit. Ky ndryshim në qëndrim vjen pas rezultateve të dobëta të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit.

Në një intervistë për emisionin “60 Minutes” të CBS, Trump tha se ishte i kënaqur me rezultatet e arritura në kontrollin e kufirit, por pranoi se deportimet masive i kanë shkaktuar kosto politike.

“Për mbylljen e kufirit meritoj notën A plus”, u shpreh presidenti amerikan, duke shtuar se administrata e tij ka arritur të largojë nga vendi persona që i cilësoi si kriminelë.

Megjithatë, Trump pranoi se në procesin e deportimeve janë përfshirë edhe emigrantë që kishin punë të rregullta dhe që kishin krijuar një jetë në SHBA, por që kishin shkelur ligjin duke hyrë në mënyrë të paligjshme në vend.

“Mendoj se ishte shumë e ashpër”, tha ai, duke iu referuar politikës së deportimeve.

Presidenti amerikan shtoi se dëshiron të bashkëpunojë me demokratët në Kongres për të gjetur një zgjidhje për çështjen e emigracionit, por nuk dha detaje se çfarë ndryshimesh mund të propozojë.

Deklaratat e Trump vijnë pas humbjeve të republikanëve në zgjedhjet e fundit, ku emigracioni rezultoi një nga çështjet që ndikoi te votuesit. Në disa shtete, përfshirë Teksasin, një pjesë e votuesve latino-amerikanë u orientuan drejt demokratëve.

Pavarësisht deklaratave të presidentit, Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka mohuar çdo ndryshim në strategji. Një zëdhënës i tij deklaroi se administrata nuk do të ndalë arrestimet dhe deportimet e emigrantëve pa dokumente që kanë kryer krime.

Edhe zëvendëspresidenti JD Vance ka lënë të kuptohet se strategjia mund të përshtatet, duke propozuar që kontrollet të përqendrohen më shumë te bizneset që punësojnë emigrantë në mënyrë të paligjshme.

Ndërkohë, emërimi i Stephen Miller, një prej arkitektëve kryesorë të politikës së ashpër të emigracionit të Trump, në krye të stafit të Shtëpisë së Bardhë, nuk jep sinjale për një ndryshim të menjëhershëm të kësaj politike./dritare.net