“The Telegraph” artikull për vrasjen e Arlinda Zekajt në Kosovë!
Dritare.net

E përditshmja britanike “The Telegraph” ka botuar një shkrim për vrasjen e Arlinda Zekajt.
Arlinda Zekaj, 49 vjeç, nënë e një fëmije, kishte denoncuar bashkëshortin e saj, Jeton Sylaj, për dhunë në familje dhe i ishte thënë se mund të kthehej e sigurt në shtëpi. Ajo zbriti nga makina e policisë në orën 20:58 dhe u shoqërua deri te dera. Pak minuta më vonë u sulmua me sëpatë, sipas dyshimeve nga kunati i saj, Albert Sylaj.-shkruan The Telegraph.
The Telegraph thotë se ankesën e parë për dhunë në familje ajo e bëri në korrik, pasi bashkëshorti e kishte kërcënuar me vdekje dhe i kishte dërguar një video ku digjte rrobat e saj. Më pas ajo iu drejtua policisë shumë herë pas dhunës fizike që pretendonte se kishte pësuar, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik. Kërkesat e saj nuk u morën parasysh.
Më 22 tetor asaj iu dha një urdhër emergjent mbrojtjeje, që e ndalonte bashkëshortin t’i afrohej asaj ose shtëpisë. Megjithatë, familjarët e tij, përfshirë Albert Sylajn, qëndruan në shtëpinë e saj kundër vullnetit të saj, ndërsa sipas gazetës ai e kërcënoi: “Ik, përndryshe të vras”.
Po atë ditë, tri ditë para vrasjes, ajo i shkroi zyrës së kryeprokurorit, duke fajësuar policinë se nuk po e zbatonte urdhrin e mbrojtjes.
Ja biseda me policinë
Sipas transkriptit Arlinda i është lutur policit Faruk Muçolli që autoritetet të vepronin. Ajo i tha: “Ju duhet vetëm ta zbatoni vendimin e gjykatës, kaq. Është kaq e thjeshtë.” Ajo shtoi: “Jam e rraskapitur”, ndërsa ai iu përgjigj: “Edhe ne jemi të rraskapitur.” Në stacion ajo pyeti: “A duhet të kthehem në shtëpi?” dhe polici u përgjigj: “Po, po, sigurisht”, duke e siguruar se ishte e sigurt, pavarësisht pranisë së familjarëve të bashkëshortit.
Gazeta shkruan se Albert Sylaj dyshohet të ketë vepruar për hakmarrje, pasi vëllai i tij ishte denoncuar në polici. Ai u arratis, por u arrestua dy ditë më vonë dhe iu caktua masa e paraburgimit për 30 ditë.
Protestat dhe reagimet
Mijëra njerëz kanë protestuar në Prishtinë. Gratë thirrën “shteti e vrau Arlindën” dhe protestuesit hodhën bojë të kuqe e bomba tymuese ndaj ndërtesave qeveritare dhe institucioneve të drejtësisë e sigurisë. Liridona Sijarina, aktiviste e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, i tha gazetës se dëshmia që la Arlinda është diçka e paprecedentë në historinë e Kosovës, sepse u jep aktivistëve prova të drejtpërdrejta për dështimet e shtetit.
Drejtori i Policisë së Kosovës ka dhënë dorëheqje, ndërsa 11 policë dhe dy prokurore të përfshirë në rast janë pezulluar. Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla përballen me kërkesa për dorëheqje, të cilat i kanë refuzuar. Kryeministri Albin Kurti foli për një “zinxhir sistemik dështimesh të institucioneve përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë”.
“The Telegraph” sjell edhe të dhëna për gjendjen në vend: sipas Ministrisë së Drejtësisë, policia ka pranuar 2.815 raportime për dhunë në familje në vitin 2025, në një vend me rreth dy milionë banorë. Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës i tha gazetës se rasti i Zekajt nuk është i rrallë, por ndryshimi është se ajo la prova të shkruara. /dritare.net