Trump anulon sulmet e planifikuara ndaj Iranit, kushtëzon vendimin me një marrëveshje të shpejtë
Dritare.net
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se ka anuluar përkohësisht sulmet e planifikuara ndaj Iranit, duke e kushtëzuar vendimin me arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje. Sipas Trump, në bisedimet e fundit është shënuar progres, përfshirë edhe mundësinë e rihapjes së ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, mediat shtetërore iraniane kanë mohuar se Teherani i ka kërkuar Trumpit të ndalojë sulmet dhe nuk kanë dhënë sinjale për ndryshim të qëndrimit të Iranit lidhur me ngushticën strategjike.
Vendimi i Trumpit vjen pas një telefonate me princin saudit Mohammed bin Salman, i cili, sipas mediave saudite, ka bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe zgjidhjen e krizës përmes dialogut. Ndërkohë, gjatë natës nuk janë raportuar sulme të reja nga SHBA-ja apo Irani.
Tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar qytetarët amerikanë në Lindjen e Mesme për rrezikun e anulimeve të fluturimeve dhe mbylljeve të mundshme të hapësirës ajrore.