Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Tragjedi në SHBA, 16-vjeçari vret tre fëmijë dhe një mësues në një shkollë fillore

Tragjedi në SHBA, 16-vjeçari vret tre fëmijë dhe një

Tre fëmijë dhe një mësues kanë mbetur të vrarë nga të shtënat me armë zjarri në një shkollë fillore në qytetin Bend, në shtetin e Oregonit, SHBA. Autori i dyshuar, një 16-vjeçar, u vra nga një qytetar që ndërhyri për ta ndaluar, bëri të ditur policia.

Ngjarja e rëndë ndodhi të enjten pasdite në shkollën fillore “Silver Rail”, ku adoleshenti hyri me forcë pasi qëlloi me armë zjarri drejt dyerve të mbyllura të institucionit.

Sipas policisë, viktimat janë tre fëmijë të moshës 5, 8 dhe 11 vjeç. Ndërkohë, një fëmijë 7-vjeçar dhe një mësues 54-vjeçar u dërguan në spital në gjendje kritike.

Autoritetet bëjnë me dije se një person i pranishëm në vendngjarje ndoqi autorin brenda shkollës dhe e qëlloi për vdekje, duke ndërhyrë për të parandaluar humbje të mëtejshme jete. Forcat e rendit mbërritën në shkollë rreth tre minuta më vonë dhe konfirmuan vdekjen e sulmuesit.

Policia identifikoi të dyshuarin si një 16-vjeçar nga zona, por nuk bëri publik emrin e tij. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse ai kishte ndonjë lidhje me shkollën apo me viktimat.

Sipas raportimeve, alarmi për të shtënat u dha rreth orës 12:59 me orën lokale. Fillimisht, një person raportoi se një i dyshuar po qëllonte me armë të gjatë drejt automjetit të tij, ndërsa pak minuta më vonë mbërritën telefonata që njoftonin se sulmuesi kishte hyrë në shkollë.

Guvernatorja e Oregonit, Tina Kotek, vlerësoi ndërhyrjen e qytetarit që neutralizoi sulmuesin, duke theksuar se veprimi i tij ndihmoi në parandalimin e një tragjedie edhe më të madhe.

Ndërkohë, drejtuesit e distriktit shkollor shprehën dhimbjen për humbjen e jetëve, duke e cilësuar ngjarjen si një tragjedi të pakuptimtë. Shkollat në Bend do të qëndrojnë të mbyllura të premten, në mënyrë që komuniteti të përballojë pasojat e ngjarjes.

Shkolla fillore “Silver Rail” frekuentohet nga rreth 450 nxënës dhe ka më shumë se 40 punonjës të rritur.

Sipas të dhënave të bazës amerikane K-12 School Shooting Database, gjatë vitit të kaluar u regjistruan 235 incidente me armë zjarri në shkollat amerikane, ndërsa të paktën 140 të tilla janë raportuar deri më tani këtë vit.