Reagon kryenegociatorja e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE: Jemi më pranë se kurrë të përmbushjes së aspiratës
Dritare.net

Kryenegociatorja e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka, ka reaguar për protestat që po zhvillohen prej tri ditësh në Tiranë dhe aktet e dhunës të shënuara gjatë tyre. Dhuka thekson se zëri i qytetarëve kërkon reflektim dhe përgjegjshmëri nga Qeveria, ndërsa bën thirrje për ndërtimin e urave të dialogut, respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e vlerave europiane.
Reagimi i Kryenegociatores Dhuka:
Bashkimi Europian është destinacioni ynë – Familja Europiane është përkatësia jonë çdo ditë, edhe sot!
Protesta dhe zëri i qytetarëve na kërkojnë të reflektojmë me përgjegjshmëri të lartë mbi Shqipërinë europiane që duam e po ndërtojmë me atdhetari, vendin ku zëri i qytetarëve dëgjohet, institucionet respektohen dhe shteti i së drejtës është mbi çdo interes.
Të jesh europian do të thotë të kesh guximin të ngresh zërin, urtësinë të respektosh ligjin dhe forcën të mos e kthesh dallimin në largësi mes nesh.
Paqja nuk është heshtje, as urtësia indiferencë. Ato janë forca për të mbrojtur vlerat europiane, respektin njerëzor dhe Shqipërinë.
Shqipëria i përket familjes europiane nga aspirata e të gjithë shqiptarëve, si dhe nga vlerat me të cilat zgjedh të jetojë çdo ditë.
Sot jemi më pranë se kurrë përmbushjes së aspiratës europiane mbi 30-vjeçare! Ky është një moment historik për të gjithë!
Së bashku, lutem, të ndërtojmë urat e DIALOGUT dhe çdo hap drejt Familjes së Përkatësisë – Bashkimit Europian!/K.C/dritare.net