Jon Bislimi nga Franca: Rama ju kaloi topin. Tani uluni e flisni!
Dritare.net

I riu shqiptar që jeton në Lion të Francës, Jon Bislimi, i ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” në DritareTV, ka komentuar protestat e zhvilluara në Tiranë, duke u shprehur se kauzat studentore meritojnë të dëgjohen, por dëmtimi i pronës publike dhe private nuk duhet të kthehet në qëllimin e protestës.
Bislimi, i cili ka marrë pjesë edhe në protesta në Francë, tha se nuk mund të bëhet një krahasim i drejtpërdrejtë mes situatës në Francë dhe asaj në Shqipëri, për shkak të konteksteve të ndryshme. Megjithatë, ai theksoi se në të dyja rastet protestat janë shoqëruar edhe me dëme materiale dhe reagime të policisë që, sipas tij, duhen shqyrtuar kur ka dyshime për përdorim joproporcional të forcës.
“Një protestë e ka dëmin material, por ai duhet të jetë kolateral. Nuk mundet të jetë qëllimi i protestës vetëm me bërë dëm dhe me bërë zhurmë”, u shpreh Bislimi, duke nënvizuar se protestuesit duhet të kenë kërkesa të qarta dhe të synojnë hapjen e një dialogu me institucionet.
Sipas tij, shteti ka detyrimin të krijojë hapësira komunikimi me të rinjtë, në universitete dhe institucionet arsimore, në mënyrë që tensionet të ulen dhe shqetësimet e studentëve të marrin përgjigje. Bislimi kërkoi gjithashtu që të shqyrtohen rastet e dhunës, pavarësisht nëse ato kryhen nga protestuesit apo nga efektivët e policisë.
Gjatë intervistës, ai u ndal edhe te dëmtimi i bizneseve dhe automjeteve private, duke theksuar se këto akte nuk i shërbejnë kauzës studentore. Sipas tij, është e rëndësishme të dallohet protesta e të rinjve nga veprimet e individëve që shfrytëzojnë turmën për të shkaktuar shkatërrime.
Bislimi theksoi se pas protestave duhet të hapet një diskutim konkret mbi kërkesat dhe zgjidhjet e mundshme. Ai u shpreh se studentët duhet t’i përcaktojnë qartë kërkesat e tyre, t’i bëjnë publike dhe të marrin pjesë në hartimin e politikave arsimore.
“Topi është te studentët”, tha Bislimi, duke shtuar se të rinjtë nuk duhet të kufizohen vetëm te protesta, por duhet të propozojnë alternativa dhe të angazhohen në dialog me institucionet shtetërore dhe arsimore.
Në fund, Bislimi theksoi se mbështet lëvizjet studentore, por sipas tij, ato duhet të shkojnë përtej dëmeve materiale dhe të përqendrohen te ndryshimet konkrete në arsim.
“E vetmja rrugë sot është dialogu”, përfundoi ai në “Intervista e Ditës” në DritareTV./K.C/dritare.net