Nga policët serbë te Qyteti Studenti! Policia sqaron videot në rrjetet sociale!
Dritare.net

Policia ka dhënë një sërë sqarimesh pas videove dhe pretendimeve që qarkullojnë në rrjetet sociale lidhur me protestën në kryeqytet.
Lidhur me videon ku pretendohej se disa civilë kishin shoqëruar me forcë një shtetase, Policia sqaron se personi i shoqëruar është mashkull dhe jo femër. Sipas saj, shoqërimi është kryer nga punonjës të Policisë Kriminale, në kuadër të veprimeve për identifikimin e personave të dyshuar për veprime të kundërligjshme gjatë protestës. Policia bën me dije se ky shtetas dyshohet se drejtonte tubuesit dhe gjuante me zare metalikë ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve.
Kavot metalike
Për pretendimet se policët kanë përdorur kavo metalike, Policia e Tiranës deklaron se kavot e publikuara në media u janë kapur paraditen e 15 tetorit katër të rinjve të maskuar, të cilët sipas saj po shkonin në protestë për të goditur protestuesit.
“Policia e Tiranës nuk përdor të tilla mjete, pasi llojet e mjeteve që përdor janë të standardizuara me ligj dhe procedura standarde”, thuhet në reagim.
Dëmtimet në Qytetin Studenti
Policia njofton gjithashtu se në mbrëmjen e 15 tetorit një grup protestuesish të maskuar kanë shkuar në Qendrën Studentore në Qytet Studenti, ku kanë thyer xhamat dhe dyert e godinave. Sipas Policisë, janë kryer veprimet procedurale ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Policia hedh poshtë edhe lajmet për dorëheqje në radhët e saj. “Asnjë punonjës policie nuk ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ka asnjë urdhër për ushtrimin e dhunës ndaj personave të shoqëruar”, sqaron Policia.
Në lidhje me një tjetër video të publikuar në media, Policia e Tiranës thotë se personat që shfaqen aty nuk ndodhen në dhomat e shoqërimit në komisariate apo në bllokun e sigurisë. Sipas saj, pamjet janë nga momenti i parë i neutralizimit në flagrancë, në një institucion shtetëror ku ata tentonin të hynin dhe po sulmonin punonjësit e Policisë. Më pas ata janë shoqëruar në komisariat.
Nuk ka policë nga Serbia.
Policia e Shtetit ka reaguar edhe ndaj pretendimeve në rrjetet sociale se në radhët e saj gjatë protestës ishin angazhuar policë nga Serbia, duke i cilësuar ato tërësisht të pavërteta dhe dashakeqe. Sipas Policisë, këto pretendime synojnë të shfrytëzojnë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve.
“Në tubimin e datës 15.10.2026, ashtu si në çdo tubim tjetër, janë angazhuar vetëm punonjës të Policisë së Shtetit, të planëzuar në shërbim në bazë të planit të masave”, thuhet në reagim.
Apeli për protestuesit.
Në reagimin e saj Policia shpreh keqardhje për përhapjen e lajmeve që sipas saj synojnë të krijojnë një klimë konfliktuale mes Policisë dhe protestuesve. Ajo thekson se respekton dhe garanton të drejtën për protestë paqësore, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve të distancohen nga personat e dhunshëm dhe të maskuar që po sulmojnë policët, institucionet shtetërore dhe pronën publike e private./dritare.net