Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dhëmbët e Tiranës/ BBC: Shqipëria synon të bëhet Turqia e re e turizmit dentar

Anthony Hook është ulur në karrigen e dentistit dhe sheh buzëqeshjen e tij të re në një pasqyrë të vogël. I kërkojnë të pozojë për disa fotografi, për të treguar dhëmbët e rinj, dhe ai e bën me shumë kënaqësi.

58-vjeçari, i cili punon si pastrues dritaresh në Bolton, pranë Mançesterit, tashmë ka një buzëqeshje krejt të re, falë asaj që BBC e quan “dhëmbët e Tiranës”.

Nuk është emri i ndonjë marke, të paktën jo ende. Por mund të ishte fare mirë një slogan për Shqipërinë, e cila po hyn me shpejtësi në tregun e turizmit mjekësor.

Tirana është kthyer në qendrën kryesore të këtij zhvillimi. Mjafton të dallosh një nga tabelat e para në formë dhëmbi dhe më pas fillon t’i shohësh kudo nëpër qytet. Dhëmballë të mëdha e të ndriçuara shfaqen në shumë rrugë të qendrës, duke lajmëruar praninë e një klinike dentare aty pranë.

Vetëm në zonën metropolitane të Tiranës ka afro 400 klinika dentare dhe pjesa më e madhe e tyre ndodhen në qendër të qytetit. Është një numër i lartë për një popullsi prej rreth 600 mijë banorësh.

Ndaj nuk është e habitshme që dhjetëra dentistë shqiptarë po e shtrijnë tashmë aktivitetin përtej klientëve vendas. Shumë klinika kanë faqe interneti dhe reklama jo vetëm në shqip, por edhe në anglisht e italisht, duke synuar drejtpërdrejt pacientët e huaj.

Një implant dentar në Shqipëri kushton zakonisht rreth 600 euro për dhëmb, afërsisht sa në Turqi. Prej vitesh, Turqia ka qenë destinacioni kryesor për europianët që kërkojnë trajtime dentare me çmime shumë më të ulëta se në vendet e tyre.

Në Britaninë e Madhe, Francë apo Gjermani, i njëjti trajtim mund të kushtojë lehtësisht katër herë më shumë.

Për Anthony Hook, kjo diferencë ishte e vështirë për t’u shpërfillur.

Ai kishte ardhur për herë të parë në Tiranë vitin e kaluar për të parë ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Anglisë. Por gjatë qëndrimit në kryeqytet i tërhoqën vëmendjen reklamat e shumta të klinikave dentare. Pikërisht atëherë nisi të mendonte seriozisht për të zëvendësuar dhëmbët që i mungonin.

Mes Shqipërisë dhe Turqisë, ai zgjodhi Shqipërinë. Hook thotë se ishte shqetësuar nga raportimet në media për raste kur trajtimet dentare apo transplantet e flokëve në Turqi kishin përfunduar me komplikacione.

Edhe Ministria e Jashtme britanike paralajmëron se është në dijeni të shtatë shtetasve britanikë që kanë humbur jetën në Turqi gjatë vitit 2025 pas procedurave mjekësore. Autoritetet britanike thonë gjithashtu se disa shtetas kanë pasur komplikacione pas ndërhyrjeve dhe u është dashur të kryejnë trajtime ose operacione të tjera.

Hook thotë se nuk do të shkonte në Turqi “sepse kam dëgjuar shumë gjëra të këqija”. Para se të vendoste të trajtohej në Tiranë, ai thotë se bëri kërkime të hollësishme.

“Hyra në internet dhe kërkova seriozisht. M’u deshën dy ditë për ta studiuar, sepse nuk jam nga ata që marrin vendime pa u menduar”, tregon ai.

Pas disa udhëtimeve në Tiranë, Anthony tashmë ka vendosur implantet e reja dhe buzëqeshja e tij ka ndryshuar plotësisht.

“Do të vija këtu një herë në muaj për pushime, po të mundesha”, thotë ai duke qeshur.

Elite Dental është një nga klinikat më të mëdha dentare në Tiranë. Klinika është plotësisht e licencuar nga autoritetet shqiptare të shëndetësisë, ashtu si edhe 15 dentistët që punojnë aty.

Drejtuesi i saj, Ardtur Dema, thotë se nuk është dakord me dëmtimin e dhëmbëve të shëndetshëm vetëm për arsye estetike. Sipas tij, qëllimi kryesor duhet të jetë përmirësimi i jetës së pacientëve, duke u rikthyer mundësinë për të ngrënë normalisht dhe, sigurisht, për të buzëqeshur, përcjell dritare.net

Dema beson se për sa kohë Shqipëria të mbetet jashtë Bashkimit Europian, çmimet e trajtimeve ka të ngjarë të vazhdojnë të jenë të ulëta.

Në të njëjtën kohë, zgjerimi i ndjeshëm i fluturimeve me kosto të ulët drejt dhe nga Tirana e ka bërë shumë më të lehtë ardhjen e pacientëve të huaj. Sot, thotë ai, në klinikën e tij mund të hyjë po aq lehtë një pacient nga Torino sa një pacient nga Tirana.

Por zhvillimi i shpejtë i këtij lloj turizmi sjell edhe shqetësime.

Dema druhet se rritja e madhe e kërkesës mund të tërheqë operatorë jo seriozë, të cilët, duke ofruar shërbime të dobëta, mund të dëmtojnë reputacionin e gjithë sektorit.

Ai është anëtar i Shoqatës Shqiptare të Turizmit Mjekësor, një organizatë e krijuar së fundmi. Megjithatë, shumë prej operatorëve që veprojnë në këtë treg nuk janë ende pjesë e saj.

Kryeministri Edi Rama i thotë BBC-së se qeveria po përpiqet t’i përshtatet një realiteti që ka ndryshuar me shumë shpejtësi. Gjatë pesë viteve të fundit, numri i vizitorëve të huaj që mbërrijnë në Shqipëri është më shumë se dyfishuar.

Një nga mundësitë që po shqyrtohet është krijimi i një lloj certifikimi zyrtar për strukturat që ofrojnë shërbime të turizmit mjekësor, megjithëse qeveria ende nuk ka përcaktuar se si do të funksionojë konkretisht një sistem i tillë.

“Është një industri e re, brenda sektorit të turizmit, e cila po tregon një potencial të madh dhe ku ka profesionistë shumë të mirë”, thotë Rama.

Kryeministri shton se qeveria dëshiron të ndihmojë ofruesit seriozë të këtyre shërbimeve që të vazhdojnë aktivitetin e tyre dhe, njëkohësisht, t’i mbrojë nga konkurrenca e pandershme dhe operatorët informalë.

Por dhëmbët nuk janë e vetmja arsye që po sjell turistë të huaj në klinikat shqiptare.

Krahas bregdetit, disa vizitorë po interesohen gjithnjë e më shumë edhe për transplantin e flokëve.

Disa klinika shqiptare punësojnë specialistë turq, ndërsa të tjera janë degë të kompanive që e kanë qendrën e tyre në Turqi.

Vatanmed në Tiranë është një prej tyre. Specialistja e shitjeve dhe konsulentja shëndetësore Ayşe Mina Kasemi e përshkruan kompaninë si një “markë globale”, me 15 klinika në disa vende të botës.

Sipas saj, përmasat dhe shtrirja ndërkombëtare e kompanisë u japin më shumë siguri pacientëve të huaj që zgjedhin të udhëtojnë për t’u trajtuar.

Por Shqipëria, thotë ajo, ka edhe një avantazh tjetër: pacientët mund ta ndërthurin trajtimin me pushimet.

“Kur njerëzit vendosin të bëjnë transplantin e flokëve këtu në Shqipëri, duan gjithashtu të kalojnë pushimet këtu, sepse Shqipëria është një vend shumë i bukur”, thotë Kasemi.

Megjithatë, pacientët që kryejnë transplant flokësh duhet të tregohen të kujdesshëm në ditët e para.

“Gjatë dy ose tri ditëve të para duhet të bëjnë kujdes. Nuk duhet të ekspozohen në diell”, shpjegon ajo.

Për Anthony Hook, ky nuk është ndonjë shqetësim. Ai e mban kokën të rruar dhe nuk ka ndërmend që pas dhëmbëve të rinj të bëjë edhe transplant flokësh.

Për të, mundësia për të kombinuar trajtimin dentar me pushimet dhe për të shijuar plazhet e peizazhet shqiptare ishte një tjetër arsye për të zgjedhur Shqipërinë.

“Ka shumë gjëra për të bërë në Tiranë… dhe ka shumë për të parë përgjatë bregdetit. Është vërtet mahnitës”, thotë ai.

Por Anthony dëshiron ta shijojë Shqipërinë përpara se ajo të mbushet edhe më shumë me turistë.

“Dua ta shijoj tani, përpara se të bëhet tepër e famshme dhe të prishet si shumë vende të tjera”, thotë ai.

Tani, me dhëmbët e rinj, Anthony mund të shijojë edhe më mirë kuzhinën shqiptare.

Dhe një gjë është e sigurt: buzëqeshja e tij e re do të bjerë në sy edhe në fotografitë e pushimeve./Përshati nga BBC-Dritare.net