Kuçana: Me këtë PD, pushteti mbetet larg!
Dritare.net

Ilirjana Kuçana, anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, e ftuar në emisionin “Dekalog” të Roland Qafokut në DritareTV, ka folur për situatën brenda PD-së dhe ndryshimet që, sipas saj, i duhen opozitës për t’u rikthyer në pushtet.
Kuçana tha se do të vazhdojë betejën e nisur brenda Këshillit Kombëtar, duke kërkuar që PD të afrohet më shumë me qytetarët dhe me figurat e protestave, si dhe të krijojë një front më të gjerë intelektual. Sipas saj, Partia Demokratike ka nevojë të afrojë personalitete dhe figura me peshë publike, edhe nëse ato nuk janë domosdoshmërisht pjesë e strukturave partiake.
Një nga kritikat më të forta të Kuçanës lidhet me atë që ajo e quan “mulizimi i Partisë Demokratike”, duke iu referuar rolit të Flamur Nokës. Ajo sqaroi se nuk ka asgjë personale me Nokën, por se politikisht ndahet me të dhe kërkon që në parti të rikthehet meritokracia.
“Partia Demokratike nuk është pronë private. Partia Demokratike është e të gjithë demokratëve dhe duhet të bëhet më e mirë për të ardhur në pushtet dhe për të qenë alternativë qeverisëse”, u shpreh Kuçana. Ajo shtoi se PD-së nuk i vjen e keqja nga kritikat e brendshme, duke pretenduar se shqetësimet që ajo ka ngritur në Këshillin Kombëtar diskutohen edhe nga deputetë dhe drejtues të tjerë demokratë.
Kuçana kërkoi gjithashtu më shumë përgjegjësi për drejtuesit politikë të qarqeve. Sipas saj, ata që marrin përsipër drejtimin politik dhe nuk arrijnë rezultat duhet të mbajnë përgjegjësi, në vend që humbësit të rikthehen vazhdimisht në poste drejtuese.
Në prag të betejave të ardhshme elektorale, ajo propozoi që PD t’u japë më shumë hapësirë të rinjve dhe të rejave, duke i kandiduar si drejtues politikë dhe kandidatë për bashkitë në zonat nga vijnë.
“T’i çojmë drejtues politikë, kandidatë për bashkitë nga ku vijnë dhe besoj që do t’ia sjellin fitoren Partisë Demokratike”, deklaroi Kuçana.