Shqiptarja që fitoi në primaret amerikane! Edlira Sako drejt Senatit SHBA-së
Dritare.net

Edlira Sako bëri histori duke fituar garën brenda demokratëve për Senatin shtetëror të Michiganit. Tashmë shqiptarja është përpara betejës së madhe të 3 nëntorit, ku një tjetër fitore do ta bënte të parën shqiptare që zgjidhet në këtë nivel të Senatit shtetëror në Michigan të SHBA-së.
Në një intervistë për emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV, Sako rrëfeu rrugëtimin e saj të pazakontë drejt politikës amerikane, nga largimi prej Shqipërisë në moshën 32-vjeçare, te studimet në SHBA, puna në fushatat e demokratëve dhe kandidatura që nisi nga një mesazh të cilin fillimisht e mori për “spam”.
Sako u largua nga Shqipëria me djalin e saj 9-vjeçar dhe vazhdoi studimet në Amerikë për shkenca politike dhe psikologji. Ajo kishte studiuar shkenca politike edhe në Universitetin e Tiranës dhe thotë se pikërisht në Shqipëri mori bazat e formimit të saj.
“Kur arrita këtu në Amerikë nuk e mendoja kurrë që do të merresha me politikë. Gjithmonë doja të isha në sferën akademike”, tregoi ajo.
Rrugëtimi ndryshoi në vitin 2020, kur përmes Wayne State University nisi një praktikë dhe më pas u përfshi si vullnetare dhe organizatore në fushata politike. Ajo punoi në disa prej tyre, përfshirë edhe fushatën e guvernatores së Michiganit, Gretchen Whitmer, në vitin 2022.
Por momenti që do ta kthente nga organizatore fushate në kandidate erdhi në vitin 2024.
Demokratët e kontaktuan për t’i propozuar kandidimin. Sako, megjithatë, mendoi se dikush po tallej me të.
“E quajta ‘spam call’ ose ‘spam text message’. Isha me bashkëshortin dhe i thashë: ‘Më duket se këta po bëjnë shaka me mua’”, rrëfeu ajo.

Personi në anën tjetër rezultoi të ishte dikush që Sako e njihte nga puna në fushatat politike. Telefonata ishte e vërtetë dhe asaj po i ofroheshin disa mundësi për të kandiduar.
Edhe atëherë vendimi nuk ishte i menjëhershëm. Përpara se ta merrte, Sako shkoi me bashkëshortin pranë një liqeni për të menduar.
“Dua të qetësohem dhe të marr vendimin tamam”, kujtoi ajo momentin, përpara se t’i thoshte bashkëshortit: “Do vazhdojmë. Unë do kandidoj.”
Gara e parë nuk solli fitoren. Por humbja, sipas Sakos, nuk ishte arsye për t’u larguar nga politika.
“Të dështosh është një fjalë shumë e madhe. Të humbësh është garë. Është si ndeshje futbolli. Dikush do fitojë. Kur tërhiqesh nga gara është shumë më e vështirë sesa të humbësh”, tha ajo.
Dhe më pas erdhi gara që ndryshoi gjithçka.
Sako fitoi primaret demokrate për Senatin shtetëror të Michiganit. Ishte një rezultat që, siç pranoi vetë, nuk e priste. Madje, momentin kur kuptoi se kishte fituar nuk e përjetoi në një seli elektorale duke pritur rezultatet, por në punë.
“Kur pashë emrin tim, të nesërmen në mëngjes, kam qenë në punë. Kisha edhe fëmijët që vinin për grupet e leximit. Po e shikoja dhe thashë: ‘Oh, paskam fituar!’”, rrëfeu Sako.

Surpriza ishte edhe më e madhe pasi ajo priste që edhe kandidatët e tjerë shqiptarë në Michigan të arrinin rezultate të mira.
“Mendoja që shqiptarët e tjerë realisht do fitonin dhe do u gëzohesha fitoreve të tyre. Jam një person që dua që shqiptarët të aktivizohen në jetën politike këtu në Amerikë”, tha ajo.

Tani përpara saj është 3 nëntori.
Sako do të përballetë në zgjedhjet e përgjithshme me kandidatin republikan dhe e konsideron garën shumë të ngushtë. Pikërisht për këtë arsye ajo ka një apel të drejtpërdrejtë për komunitetin shqiptar.
“Do t’i lutesha shqiptarëve që të dilnin të votonin. E them jo vetëm për të votuar për mua, por pavarësisht për kë votoni, vetëm dilni të votoni, sepse është e vetmja fuqi që çdo individ ka për të sjellë zërin publik”, u shpreh Sako.
Nëse arrin të fitojë, rezultati do të ketë edhe një peshë historike për komunitetin shqiptar.
“Jam e para shqiptare që kam arritur primaret deri tani për State Senate dhe, nëse do zgjidhem, do jem e para në Michigan në nivelin e Senatit shtetëror”, tha ajo.
Sako u drejtua edhe atyre shqiptarëve që mbështesin republikanët, duke kërkuar që përfaqësimi shqiptar të shihet përtej ndarjeve partiake.
“Pavarësisht se mund të jeni konservativ apo liberal, mos shikoni anët e partive. Shikoni që një shqiptar apo një shqiptare të zgjidhet. Është shumë e rëndësishme, sidomos për popullatën që kemi në çdo vend ku jetojmë. Kemi nevojë për përfaqësim”, deklaroi ajo.
Në intervistë, kandidatja shqiptare foli edhe për problemet që po dëgjon çdo ditë nga qytetarët gjatë fushatës derë më derë. Ekonomia, çmimet e ushqimeve dhe karburantit, kostot e çerdheve dhe kopshteve, si dhe vështirësitë e fermerëve janë ndër shqetësimet kryesore që ajo thotë se ndesh në Michigan.
“Është jeta reale, është ajo pjata në tavolinë kur njerëzit shkojnë të blejnë ushqimet. Është bërë e vështirë”, tha Sako.
Por një nga momentet më të forta të intervistës erdhi kur biseda u kthye te Shqipëria.
Edhe pse jeton prej vitesh në SHBA, Sako tha se vazhdon ta shohë Shqipërinë si vendin ku ka rrënjët dhe formimin e saj. Sipas saj, shqiptarët duhet të lënë mënjanë një pjesë të interesit individual dhe të mendojnë më shumë për atë që do t’u lënë brezave të ardhshëm.
“Në radhë të parë duhet të mendojmë për vendin. Duhet të hapim pak historinë dhe të shikojmë se si kemi mbijetuar si vend dhe sa i vlefshëm është ai vend për ne. Pastaj të mendojmë pak më shumë për atë vend dhe të jemi pak më pak për të menduar për veten”, u shpreh ajo.
Nga larg, tha Sako, Shqipëria shihet ndryshe.
“Duhet të ulemi pak dhe të mendojmë, të mos jemi shumë egoistë, por të mendojmë siç mendonin ato gjyshet tona për të ardhmen e vendit”, tha ajo.
Sako vazhdon ndërkohë edhe punën e saj në arsim. Ajo punon me fëmijët për t’i ndihmuar në leximin dhe shkrimin e gjuhës angleze, ndërsa pas orarit të punës vazhdon fushatën, takimet me qytetarët dhe trokitjet derë më derë.
Më 3 nëntor vjen prova më e madhe. Pas fitores së parë që tashmë e ka futur emrin e saj në historinë e përfaqësimit shqiptar në Michigan, Edlira Sako kërkon fitoren që mund ta çojë në Senatin shtetëror dhe t’i japë komunitetit shqiptar një zë të ri në politikën amerikane./dritare.net