
The Guardian: Ju tregojmë bunkerët e Enver Hoxhës!
Dritare.net

Bunkerët nga epoka e pasluftës së Hoxhës, janë hapur për publikun, në Tiranë, për të njohur të kaluarën komuniste.
Mund të kalosh vetëm disa ditë në Shqipëri dhe arrin të kuptosh sesi vendi ka jetuar i mbytur në kthetrat e hekurta të diktaturës komuniste për gati 50 vjet.
Kjo tokë me plazhe të mrekullueshëm dhe luginat e thella, është ende e pasur, 25 vjet pas rënies së regjimit, me dhjetra mijëra bunkerë, testament konkret i paranojës së Enver Hoxhës, i cili udhëhoqi vendin nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985 . Ato u ndërtuan për t'i bërë ballë pushtuesit i cili nuk erdhi kurrë dhe shumicën prej tyre, i sheh ende në këmbë. Dhe tani që ekzaminimi i trashëgimisë së epokës komuniste është në agjendën politike dhe kulturore, disa kanë gjetur një rol të ri.
“Ne shpresojmë të ndihmojmë shqiptarët të pajtohen me historinë dhe të kaluarën e tyre”, thotë Carlo Bollino, kurator i Bunk'Art. “Nuk mund të ketë ndërgjegjësim në të tashmen dhe konfidencë në të ardhmen, pa e njohur tokën në të cilën janë mbjellë rrënjët e tua”.
Bunk'Art (hyrja 300 lek, rreth 1,70 £) sapo është hapur, në bunkerin e madh që u ndërtua në periferi të kryeqytetit për të akomoduar Hoxhën, në rast sulmi.
Vizita ime atje ishte shqetësuese. Për të shkuar tek zyra e biletarisë duhet të kaloje nëpërmjet një tuneli 200 metrash, ku luhej muzikë e frikshme.
Më pas zbrita në bunkerin 5-katësh dhe brodha nëpër korridoret pafund dhe dhjetëra dhoma. Një tabelë paralajmëruese për vizitorët thoshte se dritat mund të iknin në çdo moment, por se nuk duhej të kaloje në panik. Zhurmë statike vinte nga muret e betonit. Isha vizitori i vetëm në atë vend dhe rrëfej se më dukej sikur kisha një fantazmë nga prapa. Ktheja pa pushim kokën, në pritje për të gjetur Hoxhën disa hapa prapa meje.
Disa nga dhomat janë përdorur për të treguar historinë e kohëve të diktatorit përmes fotografive, objekteve dhe dokumenteve. Dhomat e tjera janë përdorur për ekspozim arti, por shumica janë boshe. Në zemër të bunkerit është një sallë mbledhjeje, i projektuar për qeverinë e Hoxhës gjatë arratisë, por që sot përdoret për koncerte xhazi.
Dola në dritën e diellit dhe mora ajër, mirënjohës.
Bunk'Art do të bashkohet së shpejti me pika të tjera të fshehta që janë kthyer pika turistike. Shtëpia me Gjethe është një vilë me tulla të kuqe në qendër të Tiranës që ishte qendra e policisë sekrete të Sigurimit dhe zemra e rrjetit të përgjimit të telefonisë gjatë regjimit. Kjo, do të hapet vitin e ardhshëm si Muzeu i Mbikëqyrjes, por unë arrita të futem brenda ndërtesës. Një dhomë kishte disa metra tel që të çonte në një central dhe me sa duket asnjë ambasadë e huaj nuk priste të kishte telefonata private. Muzeu ka në plan të ekspozojë një koleksion të pajisjeve të spiunazhit të luftës së ftohtë.
Disa qindra metra larg, është bunkeri më i madh në qendër të qytetit. Ai dikur lidhte të gjitha ministritë dhe do të hapet për publikun në fillim të vitit të ardhshëm. Arrita të bind një mikun tim vendas për të më futur brenda me punëtorët që po e përgatisin për vizitorët, por ai u bë gjithnjë e më shumë nervoz, sa më thellë shkonim drejt labirinthit, duke pëshpëritur fraza për policinë dhe burgun.
Hoxha, hedh ende hije në këtë vend./Përshtati dritare.net

















