Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Të shtëna nga një jaht në Palasë, policia ndalon 4 persona pas një operacioni dyorësh

Një operacion policor është zhvilluar mbrëmjen e së dielës në zonën e Palasës, pas raportimeve për të shtëna me armë zjarri nga një jaht që lundronte në det.

Njoftimi për incidentin është marrë rreth orës 21:00, duke vënë në lëvizje efektivët e Policisë Kufitare, Delta Force dhe FNSH. Forcat e policisë kanë nisur ndjekjen e mjetit lundrues, e cila ka zgjatur rreth dy orë.

Pas ndjekjes, jahti është shoqëruar drejt kalatave të Porto Palermos, ku policia ka ndaluar katër personat që ndodheshin në bord. Sipas burimeve, bëhet fjalë për B. Çelën, A. Kastratin, H. Noku dhe L. Haso.

Mësohet se jahti fillimisht ka marrë drejtimin në zonën e Greqisë, por më pas ka ndryshuar kurs. Gjatë operacionit, njëri prej personave në bord është hedhur në det, por është kapur më pas nga efektivët e Policisë Kufitare.

Ndërkohë, dy persona të tjerë kanë tentuar të largohen me një gomone dhe të afrohen drejt bregut. Pasi kanë konstatuar praninë e forcave të policisë në tokë, ata janë kthyer sërish në drejtim të jahtit.

Sipas burimeve, në përpjekje për t'iu shmangur autoriteteve, jahti ka fikur dritat dhe ka vijuar lëvizjen në det.

Ende nuk janë bërë të qarta rrethanat e të shtënave, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe arsyen e tentativës për t'iu shmangur policisë.

Mjeti lundrues i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm nga forcat e policisë. Deri në këto momente nuk ka të dhëna zyrtare në lidhje me sendet apo materialet që mund të jenë gjetur gjatë kontrollit./L.F-dritare.net