Ta therim Ermirën

Nga Dritan Hila

Me siguri këto janë çastet më të vështira në jetën e Ermira Mehmetit. I janë sulur të gjithë: Burrat që lenë gjysmat e rrogave të tyre duke telefonuar linjat e kuqe apo në bordellet e Veleshi dhe kanë rastin të shtiren si të virtytshëm; ato gra, të cilat e kanë parë si konkurente reale apo virtual; dhe media që i gëzohet klikimeve, pa vrasje ndërgjegje se po ndihmon që të masakrohet.
Askush nuk u morr me telefonuesin. Nuk merren pasi ai është “burrë”, dhe ka gjithë të drejtën të bëjë çfarë të dojë. Megjithëse nga të dy palët, ai ishte i martuari dhe me fëmijë, ndërsa Ermira një femër e vetmuar. I largohen të gjithë Ermirës tani. I largohen shokët e partisë. I largohen miqtë. I largohet shoqëria. Dhe shohin sesi një gazetë maqedonase hodhi në treg një bisedë erotike të saj. Sodisin sesi e përdhunon publiku shqiptar, meqënëse pushteti maqedonas nuk mundi ta bëjë vetë fizikisht. Dhe bëjnë sehir.
Është e vështirë që dikush nga sulmuesit të ketë lexuar libra antropologjikë. Do ju këshilloja vetëm një broshurë të një antropologu të famshëm, që quhet Jarred Diamond. Titullohet “Përse seksi është zbavitës”. Nuk ka asgjë zbavitëse në të. Vetëm se tregon pse femra, duke qenë pjesa riprodhuese e shoqërisë, është në kërkim të partnerit. Duke qenë pjesa më e dobët fizikisht, kërkon gjithmonë një mbrojtës për veten dhe pjellën e saj. Aq më e theksuar bëhet kjo në shoqërinë njerëore, ku përveç faktorit “forcë fizike”, loja komplikohet pasi futen në lojë raportet sociale, intriga, kurthet, pabesia, fuqia e shtetit, dhe shumë derivate të tjerë. Është një libër që shërben për emancipimin e burrave. E pra Ermira është një femër e vetmuar. Një nënë që rrit e vetme fëmijën e saj. Mund të jetë në kërkim të një partneri, siç është e drejta e saj. Ashtu siç mund të jetë në kërkim të aventurës, e cila edhe kjo është e drejta e saj. Por nuk i ka bërë keq askujt.
Nuk e kam ndjekur nga afër karrierën e Ermirës, por nuk besoj se ka ndonjë ndryshim nga e shoqeve të saj. Nuk besoj se është bërë e tillë për shkak se ka qenë dikushi në fusha të tjera. Nuk mendoj se është tipike politikane, të paktën nga sa kam ndjekur në prononcimet publike. Ka shumë mundësi të jetë afruar nga BDI, për të patur një fytyrë femërore në rradhët e saj, që të hidhte poshtë dyshimet dhe akuzat si organizatë vrasësish dhe fondamentaliste. Mund të jetë edhe “e mbrojtura” e ndonje politikani të fuqishëm që e ka pasur të dashur ose e ka. Por ky nuk është faj. Në hapësirën shqiptare, përjashto dy apo tre femra që janë bërë politikane për shkak të brumit që kanë, të tjerat janë sponsorizim i dikujt, ose për makiazh, ose si të dashura, ose se burrave që kanë komandën ju duhen disa duar që të hedhin firma djegëse nëpër tendera. Por deri tani nuk ka fakte se Ermira ka vjedhur. Nuk ka fakte se Ermira ka vrarë. E vetmja gjë që Ermira ka bërë, është një telefonatë erotike. Të cilën ka shumë mundësi që shërbimet sekrete maqedonase e kanë përdorur si shenjë për t’iu treguar politikanëve shqiptarë të mpleksur në vjedhje, trafiqe dhe vrasje, se çfarë mund t’iu bëjnë. Dhe përdorën si kokë turku një femër, që të gjithë sot bëjnë sikur nuk e kanë njohur.
Megjithatë jam i sigurtë që këtu maqedonasit gabojnë. Populli shqiptar do të çohet me të njëjtin entuziazëm në mbrojtje të hajdutëve të tij. Madje ka mundësi ti votojë më tepër. A nuk jemi ne që dënojmë me ligj prostitutën dhe jo klientët? A nuk jemi ne, që sa më shumë vërtetohen akuzat për vjedhje dhe vrasje të politikanëve tanë, aq më shumë i votojmë? Kjo tregon se maqedonasit nuk na kanë njohur mirë. Ne jemi gati të linçojmë Ermirën për të treguar gjasme bindjen ndaj urdhrave të Zotit, edhe më tepër se Zoti vetë e kërkon. Është mënyrë për t’ia hedhur Atij, për pisllëqet që bëjmë. Dhe nëse Abrahami theri qingjin , ne nuk na bën përshtypje të therim Ermirën./dritare.net

LEXO DHE :  Ne, vendi i Ditmirëve, të harruarit e Ballkanit

3 KOMENTET

  1. Po ne jemi popull monstër. Ajo ka të drejtë të bëjë ç’të dojë me pajën që i ka dhënë zoti. Kush nuk ka shkruar apo folur me fëmrat muhabete të tilla? Ai që nuk e ka bërë duhet të jetë anormal. Për mua të bëjë ç’i do qefi se me dorë nuk mbahet. Ata që kanë probleme të venë në ndonjë vënd të mirë, si Veleshi?.

  2. Eshte e drejte private e saj te bej ashtu si mendon dhe deshiron ajo….ne fund te fundit cfare pasoja ka….ne ato pak fjale bisede telefonike nuk duket se i sjelle pasoja sovranitetit te Maqedonise….

  3. E gjithe kjo ceshtje tregon edhe nje here se shoqeria jone eshte paragjykuese, diskriminuese dhe maskiliste! Perse diskutohet dhe perflitet vetem Ermira? Kur duhej te diskutohej me teper personi tjeter i cili eshte familjar dhe po tradheton familjen e tij, kur mund te gjykohet se po abuzon edhe me pozicionin e tij ne qeveri. Ne fund mund te thosha dhe qe ka me teper rendesi: eshte jeta e tyre dhe e bejne si te duan. Per jeten e tyre private pergjigjen privatisht. Mjafton qe kjo, per shkak te pozicionit qe kane, te mos ndikojne ne punen e tyre dhe njerezit qe i kane votuar te mos humbasin besimin tek ata dhe politikanet!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.