Na ndiqni edhe në

Shqip

Sot zgjedhjet në SHBA! Edlira Sako u kërkon shqiptarëve votën për Senatin e Miçiganit!

Sot zgjedhjet në SHBA! Edlira Sako u kërkon shqiptarëve

Sot, më 3 nëntor, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvillohen zgjedhjet e mesmandatit, ku qytetarët votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kongres, si dhe për një sërë postesh shtetërore dhe lokale. Në këto zgjedhje rinovohen të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 vende në Senatin federal amerikan.

Mes kandidatëve që garojnë në nivel shtetëror është edhe Edlira Sako, shqiptarja me origjinë nga Lushnja, e cila synon të fitojë një vend në Senatin e shtetit të Miçiganit.

Sako kandidon për Partinë Demokratike në distriktin e 24-t të Miçiganit, përballë republikanit Douglas Wozniak. Ajo ka fituar më parë zgjedhjet paraprake brenda Partisë Demokratike, duke siguruar kandidaturën për garën e 3 nëntorit.

Në një intervistë për emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV, Edlira Sako rrëfeu rrugëtimin e saj nga Shqipëria drejt politikës amerikane dhe u bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë në SHBA të marrin pjesë në votime.

E larguar nga Shqipëria në vitin 2012, në moshën 32-vjeçare, së bashku me djalin e saj nëntëvjeçar, Sako vazhdoi studimet në Amerikë për shkenca politike dhe psikologji. Ajo nisi angazhimin politik si vullnetare në fushatat e demokratëve, ndërsa në vitin 2024 kandidoi për herë të parë për një pozicion në nivel lokal.

Pas asaj eksperience, vendosi të vazhdonte rrugëtimin politik, duke arritur këtë vit të fitonte kandidaturën demokrate për Senatin shtetëror të Miçiganit. Nëse fiton zgjedhjet e sotme, ajo mund të shënojë një arritje të rëndësishme për përfaqësimin e komunitetit shqiptar në politikën amerikane.

Gjatë intervistës, Sako theksoi se çdo votë është e rëndësishme dhe se pjesëmarrja në zgjedhje është një nga mënyrat kryesore për të ndikuar në vendimmarrje.

Mesazhi i Edlira Sakos për shqiptarët në Amerikë:

“Do t’u lutesha shqiptarëve që të dilnin të votonin. Edhe e them jo vetëm për të votuar për mua, por pavarësisht për kë votoni, vetëm dilni të votoni, sepse është e vetmja fuqi që ka çdo individ për të sjellë zërin publik.

Është shumë e rëndësishme, sidomos kur mbështesin një shqiptare. Do të jem një zë më tepër i komunitetit dhe do të jem në një nivel senati, që është nivel i rëndësishëm. Ajo votë është vërtet shumë e vlefshme për të fituar zgjedhjet”, u shpreh Sako.

Kandidatja shqiptare foli edhe për rëndësinë e përfaqësimit të diasporës në institucionet amerikane, duke theksuar se shqiptarët duhet të jenë më aktivë në jetën politike të vendit ku jetojnë.

“Çdo votë e çdo shqiptari, pavarësisht partisë dhe çfarë bindjesh ka, është shumë e rëndësishme, sidomos kur jam e vetmja që kam ngelur në garë. Do t’ua dija shumë për nder nëse do të votonit për mua”, deklaroi Edlira Sako në DritareTV.

Gjatë bisedës me Rudina Xhungën, Sako tregoi gjithashtu se fushata e saj është përqendruar te problemet e përditshme të familjeve amerikane, veçanërisht kostoja e jetesës, çmimet e ushqimeve dhe karburanteve, vështirësitë e fermerëve dhe kostot e larta të kujdesit për fëmijët.

Ajo theksoi se, pavarësisht angazhimit politik, vazhdon të punojë në arsim, duke ndihmuar fëmijët në leximin dhe shkrimin e gjuhës angleze.

Sot, më 3 nëntor, Edlira Sako përballet me votën e qytetarëve të Miçiganit, në një garë për t’u bërë pjesë e Senatit shtetëror dhe për të zgjeruar përfaqësimin e shqiptarëve në politikën amerikane./dritare.net